Ish kryeministri i Italisë, Massimo D’Alema tha sot se një marrëveshje në mes Kosovës dhe Serbisë do të thoshte se këto dy vende do të bëheshin kandidate për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Ish kryeministri italian këtë deklaratë e dha gjatë ceremonisë së marrjes së çmimit ndërkombëtar për të drejtat e njeriut, i cili iu dha nga Kolegji AAB për kontributin e tij dhënë për lirinë e Kosovës.
D’Alema tha se do të jetë një mbështetës i fuqishëm për një marrëveshje në mes Kosovës dhe Serbisë, me qëllim që të dy shtetet të ecin përpara.
“Jam një mbështetës i fuqishëm për një marrëveshje në mes Kosovës dhe Serbisë. Kjo marrëveshje midis Kosovë dhe Serbisë do të thoshte se Kosova do të njihej si një anëtare e Kombeve të Bashkuara që të jemi jo vetëm miq. Kosova ka shumë miq në botë, por jo vetëm si miq, por që çdo shtet të jetë i njohur si një shtet i lirë. Do të ishte për Kosovën një mbështetje shumë e madhe dhe një zhvillim shumë i madh dhe do të lejonte që Kosova të vendoste rolin e saj në skenarin ndërkombëtar. Dhe në të njëjtën kohë paqja me Kosovën do të thoshte që Serbia të bënte një hap përpara”, tha D’Alema.
Duke folur për paqen në Ballkanin Evropian, D’Alema tha se kjo marrëveshje Kosovës dhe Serbisë do ia hapte dyert drejt BE-së.
“Për Evropën gjithashtu mendoj se marrëveshje në mes këtyre dy shteteve do të hapte dyert për Bashkimin Evropian dhe jo vetëm për rajonin. Sigurisht çdo shtet duhet të ndjek mënyrën e vetë dhe rrugën e vetë por në çdo rast mendoj se përfshirja e Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian do të ishte shumë i rëndësishëm për paqen jo vetëm për Ballkanin ….Prandaj mendoj që sigurisht për Serbinë dhe Kosovën një marrëveshje do të thoshte se do të bëheshin kandidat në Bashkimin Evropian dhe do të hapte dyert për një përfshirje dhe proces gjithëpërfshirës në rajon”, ka thënë ish kryeministri italian.
Tutje ai u shpreh i bindur qe lidershipi kosovar është duke punuar në drejtim të duhur, prandaj shprehu gatishmërin e tij që të organizojë një lobim të fuqishëm për Kosovën.
D’Alema ka folur edhe për periudhën sa ishte kryeministër ku në Kosovë bëhej luftë.
Ai ka treguar edhe se si i kanë bërë presion ish-presidentit të Serbisë Sllobodan Millosheviqin dhe bashkëpunimin me ish-presidentin e ndjerë Ibrahim Rugova.
“Gjatë luftës qeveria italiane bëri një presion shumë të fortë mbi Millosheviqin dhe gjithashtu edhe Ibrahim Rugova dhe familja e tij të ishte e qetë dhe më në fund ai mund të ishte në Romë të qëndrojë me ne, të përgatisë paqen. Gjatë luftës ne punuam me qëllim për të përgatitur paqen, sidomos duke bashkëvepruar dhe duke punuar me Ibrahim Rugovën, në të njëjtën kohë një ndër liderët më të rëndësishëm që po mundohej për pavarësinë e Kosovës dhe në të njëjtën kohë edhe një njeri i paqes”, tha D’Alema.
Rektori i AAB-së, Lulzim Tafa tha se ky çmim po i ndahet Massimo D’Alema për kontributin e tij që ka dhënë për krijimin e paqes në Kosovë.
“Këto vende dhe këta popuj i bënë gardianë të lirë, ku liria si vlerë sublime u nëpërkëmb aq shumë në Kosovë. Njëri prej këtyre vendeve liridashëse ishte dhe Italia, kryeministër i së cilës ishte zotëri Massimo D’Alema, kontributi i të cilit është i jashtëzakonshëm. 19 vite pas kësaj ju kemi ftuar këtu në Kosovën e re të lirë e të pavarur, ju kemi ftuar këtu me studentët tanë në kolegjin AAB që t’iu themi faleminderit, iu kemi ftuar këtu që t’iu themi se Kosova është gjithmonë mirënjohjes dhe nuk do iu harrojmë as juve, as Italinë, e as vendeve e popujt miq të Kosovës për ndihmën që i dhatë lirisë sonë“, tha Tafa.
Rektori i AAB-së u shpreh se institucioni arsimor që ai e udhëheqë ofron mundësi mësimore për të gjitha komunitetet në Kosovë me qëllim të ndërtimit të një të ardhme të përbashkët për Kosovën.
I pranishëm në ceremoninë e ndarjes të çmimit ndërkombëtar për të drejtat e njeriut nga kolegji AAB, për kryeministrin italian, Massimo D’Alema ishte edhe zëvendëskryeministri i parë, Behgjet Pacolli.
Sot, kryeministri italian, Massimo D’Alema ka vizituar familjen e ish presidentit të ndjerë Ibrahim Rugova, derisa dje ka zhvilluar takim edhe me presidentin aktual të Kosovës, Hashim Thaçi.