“Rilindja” raportonte për vrasjen e nuses nga ish – burri i saj
Një ngjarje e rëndë kishte ndodhur në Podujevë në vitiin 1984.
Dy vëllezër u dolën në pritë kolonës së dasmes duke vrarë nusen dhe shoferin që po voziste atë, raporton “Frontal”, në T7.
Krejt kjo pasi vajza që po martohej ishte më herët nusja e Adem Zeqirit nga Halabku.
Kështu Ademi bashkë më vëllaun e tij Zeqirit ua zunë pritën kerreve të dasmes që po kalonin nëpër fshat dhe gjujan në drejtim të nuses.
Gazeta Rilindja, që darsmën e kishte cilësuar të përgjakur, raportonte për procesin gjyqësor të Gjykatës së Qarkut në Prishtinë.
“Zeqir e Adem Zeqiri nga Halabaku i Prishtinës, të cilët përgjigjen për veprën penale të vrasjes së dyfishtë – privimit nga jeta të Azemine Rafunës, bashkëfshatare e tyre, e cila në rastin e kobshëm, e veshur me rrobat dhe duvakun e nusësrisë ishte ulur në anën e prapme të veturës “Fiat 1300”, të ngarësit të këtij automjetit – Enver Hysenit, si dhe për plagosjen e Bahrie Hysenit, në cilësinë e krushkës, “bullës” së “kerrit” që të dy nga fshati Batllavë i komunës së sipërpërmendur, ku duhej të martohej Azeminja.”
Si titull i shkrimit ishin vënë fjalët e njërit nga dorasit, “Krimin e kryem nga nxitja…”, duke aluduar se dasmorët kishin provokuar.
“Rilindja” sjellë edhe rrëfimin e dy vëllezërve nga gjyqi ku Zeqiri thotë se atë ditë ishin duke punuar në kopësht, kur kanë dëgjuar boritë.
“Ai theksoi se para se të vinin dasmorët në afërsi të shtëpisë së tyre, e që kishin marrë rrugën për Batllavë, ata i aktivizuan boritë e automjeteve të tyre. Pos kësaj, dasmorët ngadalësuan shpejtësinë e automjeteve.”
Sipas shkrimit, Ademi /ish-burri i Azeminës me të cilën kishte ndenjur vetëm natën e parë të dhëndërisë/ ishte tronditur. E Zeqiri kujton se Ademi i kishte thënë se do ta kryente vrasjen, ai i kishte thënë “Ja sot, ja kurrë…”
Zeqiri e kishte marrë përsipër këtë detyrë, këtë e kishte rrëfyer edhe para trupit gjykues.
“Me të afruar të kolonës së veturave është e vërtetë se i kam thënë Ademit se unë do ta vras nusen, e jo ai pasi që isha në një pozicion më të mirë… Ashtu edhe veprova.”
Ndërsa, Enver Hysenin, që ishte djali i axhës së Zymber Hysenit, tek të cili do të shkonte nuse Azeminja, e kishte vrarë Ademi.
“Meqë Ademi sheh se po i rrezikohet jeta vëllait, shtënë me pushën mbi Enverin, duke e qëlluar me një plumb në gjoks e pastaj nxjërr edhe revolen dhe nga afërsia shtie edhe dy herë mbi Enverin”, shkruan “Rilindja”.
E gjithë kjo kishte ardhur pasi që, siç kishte thënë edhe Ademi ata kishin qenë të nxitur nga dasmorët që kur kanë kaluar në afërsi të shtëpisë kanë bërë zhurmë të madhe, duke iu mëshuar dajreve dhe duke kënduar e valëvitur peshqirët nga gratë e kerreve.
“Sikur veturat të kishin kaluar në heshtje, kjo e keqe, kjo marri nuk do të ndodhte…” kishte qenë arsyetimi i dy vëllezërve.