Deputeti Ilir Deda ka komentuar deklaratën e kryeministrit Ramush Haradinaj, i cili ka thënë se deri në vendimin e gjykatës nuk do të shkarkojë asnjë ministër.

Deda përmes Facebookut ka shkruar se refuzimi i Haradinajt për shkarkimin e ministrit Besim Beqaj dhe Pal Lekajt bie ndesh me kërkesën e Bashkimit Evropian për sundim të ligjit.

“Refuzimi i kryeministrit Haradinaj që t’i shkarkojë së paku dy ministra të Qeverisë së tij me aktakuzë për korrupsion e keqpërdorim, direkt bie ndesh me kërkesën eksplicite të BE-së për sundim të ligjit dhe insistimin e tyre, edhe të opozitës, për miratimin e Ligjit për suspendim dhe largim të zyrtarëve me aktakuzë dhe dënim për korrupsion”, ka shkruar Deda në Facebook.

Ai ka thënë se prej Kosovës kërkohet që zyrtarët politik e publik të shkarkohen sapo të ketë aktakuzë.

Tre ministra në Qeverinë Haradinaj kanë aktakuzë, Besim Beqaj, Pal Lekaj dhe Valdrin Lluka.