Dega e Lidhjes Demokratike të Kosovës në Podujevë ka shënuar sot 25 vjetorin e themelimit të saj. Në ceremonin solemne të organizuar sot për 25 vjetorin e saj, kanë marrë pjesë të gjithë anëtarët e kësaj partie, përfshirë këtu edhe kryeministrin e Kosovës, Isa Mustafa, njëherish edhe kryetar i kësaj partie.

Agim Veliu, kryetar i komunës së Podujevës, ka thënë se kjo rrugë prej 25 vitesh është periudha më e rëndësishme dhe se LDK e pati besimin e popullit për këto 25 vite.

“Po festojmë 25 vjetorin e LDK-së, kjo rrugë prej çerek shekulli për liri shënon periudhën më të rëndësishme të viteve të fundit. Këto vlera demokratike në nivel nacional me liderin Ibrahim Rugova, LDK pati besimin e popullit, këto ishin shtylla e lirisë së shtetit dhe pavarësisë”, ka thënë Veliu.

Nga ana tjetër, Isa Mustafa, kryetar i LDK-së, tha se LDK po tregohet një subjekt i rëndësishëm dhe gjatë gjithë kohës e pati shumicen këtu në Podujevë.

“Sot LDK po tregohet një subjekt tepër i rëndësishëm edhe për komunën e Podujevës, sepse për 25 vjet ka qëndruar historike dhe ka mbajtur shumicën këtu në Podujevë dhe shpresojë që do ta mbajë edhe 25 tjera së bashku”, ka thënë Mustafa.

Dega e LDK-së në Podujevë ishte themeluar më 19 mars 1990./llapi.info