“Nën qeverisjen e LDK-së dhe veqanërisht kryetarit Veliu, qyteti i Podujevës është degraduar në vazhdimësi”.

Kështu thuhet në një komunikatë për media nga dega e PDK-së në Podujevë e cila akuzon zyrtarët komunal për uzurpime dhe ndërtime të jashtëligjshme në këtë komunë, shkruan Llapi.info.

Dega e kësaj partie në Podujevë ka përmendur një lokal i cili gjendet mes dy blloqeve banesore në qendër të qytetit e cila sipas tyre i takon pronës publike dhe e cila është kthyer në biznes afarist. Sipas tyre  Komuna e Podujevës po e toleron këtë në mënyrë që të shpërblej pronarët për besnikërinë ndaj LDK-së.

Më tej në komunikatë përmendet edhe një shtëpi e një deputeti të LDK-së të cilit nuk i përmendet emri, e cila ishte ndërtuar sa kishte qenë zyrtar komunal në komunën e Podujevës e sipas të cilëve është ndërtuar në pronë publike.

Kryetari i degës së PDK-së në Podujevë, Muhamet Latifi ka bërë të ditur se janë ndjekur rrugët ligjore dhe kanë bërë kallxim penal në Prokurorinë e Shtetit.

“Për arsye të abuzimeve dhe uzurpimeve të pronave publikë, PDK-ja dega në Podujevë, nëpërmjet rrugëve institucionale ka kërkuar listën e pronave të komunës së Podujevës. Ne si PDK kemi pranuar një listë pronash, por ajo na është dhënë e gjymtë duke i fshehur pronat në qytet, për çka ne si subjekt politik duke ndjekur rrugët ligjore kemi bërë kallxim penal në Prokurorinë e Shtetit.”, shkruan kjo parti.

Ditë më parë, dega e PDK-së në Podujevë kishte akuzuar komunën e Podujevës për nepotizëm dhe punësim të mësimdhënësve të pakualifikuar në arsim.