Foto ilustrim
I akuzuari për vrasje të rëndë dhe armëmbajtje pa leje, Arlind Ahmeti, është deklaruar i pafajshëm në seancën fillestare të mbajtur të enjten, në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Pas leximit të aktakuzës nga prokurori i rastit, Ilaz Beqiri, i akuzuari Ahmeti, ka thënë se e kupton aktakuzën, por ka deklaruar se nuk e pranon fajësinë, edhe pse sipas tij, ndien keqardhje për atë që kishte ndodhur.

“Nga vijat e gishtërinjve është gjetur se kush e ka bo, aty nuk kam çka me thonë, mirëpo për atë që thuhet në aktakuzë unë nuk ndihna fajtor”, ka thënë i akuzuari Ahmeti.

Pas kësaj, gjykatësi Vesel Ismajli, shqyrtimin e dytë e ka caktuar më 8 qershor 2018, në ora 13:30, në të cilën seancë, mbrojtja ka të drejtë të paraqesë kërkesën për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtimin e provave.

Sipas aktakuzës, më 24 nëntor 2017, para kafenesë “Francisko” që gjendet në rrugën “Fehmi Agani” në Prishtinë, i akuzuari Arlind Ahmeti, në bazë të marrëveshjes paraprake me të pandehurin tjetër, Agron Vllasaliu, i cili gjendet në arrati, kanë privuar nga jeta tani të ndjerin Nehat Sahiti dhe kanë rrezikuar jetën e tani të dëmtuarve: Behar Sahiti, Lumbardh Kukaj, Freskim Ferizi, Rijada Kukaj dhe Mergim Kqiku, në atë mënyrë që pas fjalosjes së të akuzuarit Arlind Ahmeti, me vëllezërit Nehar e Behar Sahiti, derisa Agron Vllasaliu ishte në veturë, e ka hapur dritaren e automjetit dhe ka shtënë dy herë me revole dhe e ka goditë tani të ndjerin Nehat Sahiti dhe të dëmtuarit e tjerë në aktakuzë, me ç‘rast nga plagët e marra, i ndjeri ka ndërruar jetë në QKUK.

Me këtë, i akuzuari Arlind Ahmeti, në bashkëkryerje me të akuzuarin Agron Vllasaliu, akuzohet se ka kryer veprën penale “vrasje e rëndë”.

Gjithashtu, sipas aktakuzës, i akuzuari Arlind Ahmeti, pa autorizim ka poseduar dy revole, që kanë qenë pronë e tij, të cilat janë gjetur dhe sekuestruar në motelin “Vila Kuinc”, ku siç thuhet në aktakuzë, të akuzuarit kishin kaluar natën pas kryerjes së veprës penale.

Me këtë, gjithmonë sipas aktakuzës, i akuzuari ka kryer veprën penale “mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”./betimiperdrejtesi.com