Ambasadori amerikan në Kosovë, Greg Delawie, dhe ai në Serbi, Kyle Scott, kanë reaguar pas ndalesës së karateistëve kosovarë nga ana e Serbisë.
Në një postim në rrjetin social Twitter të cilin e ka publikuar vetë ambasadori Scott e të cilin e ka shpërndarë edhe Delawie, kanë shprehur shqetësimin e tyre, për ndalesën e sportistëve nga Serbia.
Sipas tyre është pikëlluese që ëndrrat e sportistëve po shkatërrohen nga politikat ndërkombëtare.
“Normalizimi i raporteve, më e pakta duhet të nënkuptojë që atletët e rinj, pavarësisht nga etniteti i tyre, të marrin lirshëm pjesë në gara ndërkombëtare. I pikëlluar ta shoh që ëndrrat e tyre po shkatërrohen nga politikat ndërkombëtare ndaj të cilave ata nuk kanë kontroll”, shprehen dy ambasadorët.
Karateistët kosovarë ishin nisur të mërkurën pasdite për në Novi Sad ku mbahet Kampionati Europian i Karatesë.
Por, ata me të mbërritur në Merdare përsëri janë ndaluar nga policia serbe, duke u kthyer mbrapshtë për në Kosovë.
Kryetari i Federatës së Karatesë së Kosovës, Ismet Krasniqi, ka thënë se janë njoftuar nga Federata Botërore se Serbia nuk ka lëshuar pe dhe nuk do t’u lejohet pjesëmarrja në Evropianin në Novi Sad.