Ambasadori i SHBA-ve në Kosovë Greg Delawie, tha Kushtetuta e Kosovës është kushtetuta më e re në Evropë dhe më përparimtarja në botë.

Ai tha se e ndjen një lloj pronësie dhe krenarie për këtë kushtetutë.

Këto deklarata Delawie i dha gjatë një konference të organizuar nga Fakulteti Juridik me rastin e 10 vjetorit të hyrjes në fuqi të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

“Kushtetuta juaj është më e reja në Evropë dhe është një ndër dokumentet fundamentalë, më përparimtare dhe më bashkëkohore në botë. Është hartuar me përkushtimin e disa personave në këtë sallë”, tha Delawie.

Sipas tij Kushtetuta e Kosovës i ka po ato parime themelore si ajo e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, kështu që sipas ambasadorit, autoriteti përfundimtar i qeverisë rrjedh nga të qeverisurit dhe koncepti i qeverisjes buron nga një sistem i ligjeve e jo i individëve.

Delawie shtoi se duhet të kemi institucione të fuqishme të drejtësisë, të qëndrueshme, të afta, pa ndërhyrje politike të cilat do të mund të demonstrojnë se mund të punohet për gjithë qytetarët e Kosovës.

“Kushtetuta juaj është nënshkruar pak pas lindjes së shtetit tuaj dhe ka qenë faktor i rëndësishëm në sundimin dhe zhvillimin e hershëm të Kosovës. Ajo është testuar dhe është sporovuar me shumë sfida ndër të cilat kryesoret janë zgjedhjet që janë përkufizues kyç i praktikës së demokracisë, formimi i qeverisë thelbësorë për shtetin për të funksionuar dhe si të normalizohen marrëdhëniet me Serbinë si qelës i zhbllokimit të stabilitetit rajonal”, shtoi ambasadori.

Edhe Dekani i Fakultetit Juridik, Haxhi Gashi, tregoi se qëllimi i këtij seminari është për t`i diskutuar përparësitë dhe ngecjet për të ardhmen. Sipas tij pa mbështetjen e miqve ndërkombëtar Kosova nuk do të ishte në këtë fazë ku është sot.

“Qëllimi i seminarit është diskutimi dhe ofrimi i argumenteve shkencore për aktin më të lartë juridik Kushtetutën e vendit shikuar nga prizmi 10 vite në fuqi, përparësitë, ngecjet dhe perspektiva për të ardhmen”, tha Gashi.

Sipas tij është provuar se Kushtetuta mund t`i rezistoj kohës edhe pse mbi bazën e saj u ndërtuan funksionet dhe organizimi shtetëror.

Në këtë konferencë të pranishëm ishin edhe Enver Hasani, ish-kryetar i Gjykatës Kushtetuese dhe profesor i së Drejtës Ndërkombëtare, Arsim Bajrami ish-Ministër i Arsimit, Profesor i së Drejtës Kushtetuese dhe anëtar i Komisionit për Hartimin e Kushtetutës si dhe Harjedin Kuçi ish-Zv. Kryeministër dhe Profesor i së Drejtës Evropiane./kallxo.com