Delegacioni i Bashkimit Evropian ka arritur dje në Kosovë për të mbledhur fakte, me të cilat pastaj do të hartojë raportin final sa i përket luftimit të korrupsionit dhe krimit të organizuar nga autoritetet kosovare.
Komisioni i udhëhequr nga Simon Mordue, zëvendësdrejtor gjeneral në Drejtorinë e Përgjithshme për Migrim, Punë të Brendshme dhe Shtetësi, pas pak do të takohet me ministrin e Drejtësisë, Abelard Tahiri.
Në këtë takim, ministri do t’i dorëzoj komisionit raportin me të dhënat se sa kanë punuar institucionet me rastet e përzgjedhura nga BE-ja për korrupsion dhe krim të organizuara, të cilat janë edhe kushti i fundit që duhet plotësuar për liberalizim të vizave, raporton Indeksonline.
Pos takimit me Tahirin, komisioni i BE-së do të zhvilloj takime të ndara edhe me zyrtarë tjerë të Kosovës, derisa dje është pritur në takim nga kryeministri, Ramush Haradinaj.
Kujtojmë se vlerësimi i këtyre ekspertëve do të jetë vendimtar për liberalizimin e vizave për Kosovën, pasi Kuvendi javë më parë ratifikoi demarkacionin me Malin e Zi, që ishte kushti tjetër i vënë nga BE-ja.
Derisa, krerët e shtetit dhe ministra të kabinetit kanë thënë disa herë se në fund të këtij viti, qytetarët e Kosovës do të lëvizin lirshëm nëpër shtetet e zonës Shëngen.