Kryesuesi i Kuvendit Komunal të Podujevës Mehmet Gashi, priti sot në takim delegacionin nga Gjermania të udhëhequr nga Burghandt Fȕlling – deputet nga Bashkia Velbert njëherësh edhe nënkryetar i CDU-së për Landin Nordrhein-Westfalen, njofton Zyra për Marrëdhënie me Publikun dhe Informim e Komunës së Podujevës, përcjell Llapi.info.

Gjatë takimit kryesuesi Gashi informoi mysafirët nga Velberti për organizmin dhe strukturën e Kuvendit si dhe trupat funksionale të tij.

Në takimin e kryesuesit Mehmet Gashi me delegacionin gjerman, morën pjesë edhe shefat e grupeve të këshilltarëve, Bahri Blakçori nga radhët e LDK-së, Kadri Avdiu nga G+ dhe Haki Rudari nga VV.

“ Anëtarët e Kuvendit njoftuan delegacionin gjerman për frymën e mirë dhe demokratike që e përcjell Kuvendin Komunal të Podujevës në punën e tij, pavarësisht se në përbërjen e këtij organi janë këshilltarë nga katër subjekte politike.”-thuhet në njoftim.

Ndërsa, Burghandt Fȕlling u shpreh i kënaqur me bashkëpunimin e mirë që kanë grupet e këshilltarëve nga pozita dhe opozita në Kuvendin e Komunës, në interes të realizimit të interesave të qytetarëve të Komunës së Podujevës.

Duke folur për përvojat e mira të parlamentarizmit në landin ku është edhe deputet i CDU-së, Fȕlling u shpreh i gatshëm në dobi të bartjes së praktikave të mira nga vendi i tij.

Delegacioni nga Gjermania sot gjatë ditës ka vizituar edhe kompaninë “Apollonia”./Llapi.info