Në bazë të raportit vjetor financiar për vitin 2017 të cilën Kuvendi e ka miratuar në maj të këtij viti, për tre muajt e fundit të vitit 2017 (tetor – dhjetor) nga 120 deputetët të Kuvendit të Kosovës, 38 prej tyre kanë realizuar udhëtime zyrtare jashtë vendit.
Në total, deputetët për këtë periudhë kohore kanë realizuar 53 udhëtime jashtë vendit të cilat i kanë kushtuar buxhetit të shtetit 39,447 euro, thuhet në platformën vota ime të publikuar nga KDI.
Pjesa më e madhe e buxhetit prej 39,447 € janë shpenzuar për bileta të udhëtimit dhe mëditje, 14,834 € respektivisht 13,777 €.
Ndërkaq 9,174 € janë shpenzuar për akomodim në vendet që janë vizituar nga deputetët dhe 1,662 € për shpenzime të tjera për të cilat nuk të dhëna specifike se për çka janë shpenzuar. Në raportin financiar nuk janë dhënë detaje lidhur me kohëzgjatjen e këtyre udhëtimeve pasi që nuk ka data që tregojnë se sa kanë qëndruar deputetët në një udhëtim të caktuar.
Kuvendi i Kosovës gjegjësisht Komisioni për Buxhet dhe Financa ende nuk ka shqyrtuar raportin financiar të këtij institucioni për tre mujorin e parë të vitit 2018.
Kujtojmë se kjo legjislaturë është vlerësuar si më e dobëta që nga pas lufta, ku shumë seanca kanë dështuar të përfundojnë për shkak të mungesës së deputetëve në seancat plenare.