Ditë më parë, rajoni i Llapit u përfshi nga shiu i rrëmbyeshëm dhe breshëri, shkruan Llapi.info.

Në disa pjesë, breshëri ka rënë në sasi më të madhe, duke shkaktuar dëme të mëdha në kulturat bujqësore. Fatin e njëjtë e kanë pasur edhe disa banorë në fshatin Bradash të kësaj Komune.

Në pamjet që kanë publikuar ata në Facebook, shihen dëmet e konsiderueshme në kulturat bujqësore.

Pas këtyre të reshurave, kryetari i Podujevës, Shpejtim Bulliqi, ka thënë se breshëri sot ka shkaktuar dëme në disa pjesë të kësaj Komune.

Në një postim në Facebook, Bulliqi pati thënë se së shpejti, siç ka thënë ai, Komisioni do të dalë në terren për t’i evidentuar këto dëme për t’u kompensuar.

“Në disa pjesë të Komunës së Podujevës ka rënë sasi e madhe breshëri dhe kjo ka shkaktuar dëme të konsiderueshme sidomos në rendimentet bujqësore, Komisioni për evidentimin e dëmeve të shkaktuara nga fatkeqësitë natyrore, së shpejti do të dalë në terren për të parë dëmet e shkaktuara nga breshëri dhe në bazë të mundësive buxhetore do ta bëjmë kompensimin për bujqit dhe familjet e prekura”, ka shkruar ai ditë më parë.

Llapi.info ka raportuar për të reshurat e mëdha të shiut dhe breshërit në disa pjesë të Komunës së Podujevës./Llapi.info