Gjykata Themelore në Prishtinë, dega në Podujevë, e ka dënuar me 8 muaj burgim efektiv, të akuzuarën për tre vepra penale, S.S.
Ajo akuzohej për dhunë në familje në vazhdimësi, sulm dhe lëndim të lehtë trupor, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Sipas aktgjykimit të shpallur nga gjykatësi Gazmend Bahtiri, e të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, e akuzuara ka qenë në paraburgim për dy muaj, që nga muaji shkurt i këtij viti, ku më pas është ngritur aktakuza nga Prokuroria Themelore në Prishtinë.
Në këto rrethana, sipas aktgjykimit, në dënimin prej 8 muaj burgim të akuzuarës i llogaritet edhe koha e qëndrimit në paraburgim.
Tutje, ndaj të njëjtës është shqiptuar edhe masa e trajtimit të detyrueshëm psikiatrik në liri, në Qendrën e Shëndetit Mendor në Podujevë, të cilës masë do t’i nënshtrohet pas plotfuqishmërisë së vendimit.
Në rast të mospërfilljes së kësaj mase, e akuzuara do të trajtohet në Klinikën e Psikiatrisë në Prishtinë, raporton “Betimi për Drejtësi”.
“Masa e trajtimit të detyrueshëm psikiatrik në liri nuk mund të zgjasë më tepër se 3 vite. Pas kalimit të këtij afati, nëse gjykata nuk ka marrë ndonjë vendim tjetër atëherë kjo masë pushon së ekzistuari në mënyrë automatike” thuhet ndër të tjera në vendimin e gjykatësit Bahtiri.
Gjykata e Podujevës, sipas vendimit të siguruar, gjithashtu ka liruar të akuzuarën nga detyrimi i kompensimit të shpenzimeve të procedurës penale, me arsyetimin se obligimi në pagesën e tyre do ta rrezikonte gjendjen materiale të të akuzuarës ose të personave që ajo detyrohet t’i mbështesë materialisht.
Të dëmtuarat, nga rastet për të cilat e akuzuara është dënuar, për të realizuar kërkesën pasurore juridike udhëzohen në kontest të rregullt juridiko-civil.
Ndryshe, S.S akuzohet se me 12 dhjetor 2018, rreth orës 14:40, në fshatin Bellopojë, Komuna e Podujevës, pas një mosmarrëveshje, me dashje përdor forcën ndaj tjetrit, ashtu që pasi që ka pasur fjalosje me kunatën e saj – të dëmtuarën F.V., e njëjta me një dru e ka goditur të dëmtuarën në gjurin e këmbës së majtë, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Sipas pikës së dytë të dispozitivit, e njëjta akuzohet se në shtëpinë e saj në fshatin Bellopojë në Podujevë, në vazhdimësi ka kryer dhunë fizike brenda marrëdhënies familjare, në atë mënyrë që fillimisht me 10 tetor 2019 e ka sulmuar vjehrrën e saj, tani të dëmtuarën B.S, duke e kapur për krahësh dhe duke e goditur me grushte në pjesë të ndryshme të trupit.
Tutje, ajo akuzohet se me 1 shkurt 2020, rreth orës 12:50, në vendin e njëjtë e ka sulmuar fizikisht duarthatë me grushte në fytyrë vjehrrën e saj, tani të dëmtuarën B.S, e më pas përsëri me 27 shkurt 2020, e ka sulmuar të dëmtuarën me një shkop druri në pjesë të ndryshme të trupit si dhe të njëjtën në vazhdimësi e ka keqtrajtuar psiqikisht duke i thënë “kom me të vra, kom me të ngulfat, e s’kom me të lanë me jetu gjallë”, me çka te e dëmtuara është shfaqur shqetësim i madh psikik.
Ndërkaq, sipas pikës së tretë të dispozitivit, S.S akuzohet se me 27 shkurt 2020, në shtëpinë e saj në fshatin Bellopojë, Komuna e Podujevës, në vazhdimësi ka ushtruar dhunë brenda marrëdhënies familjare në atë mënyrë që, pas ushtrimit të dhunës psikike dhe fizike të vazhdueshme ndaj vjehrrës së saj, tani të dëmtuarës B.S, fillimisht me 10 tetor 2019 e ka sulmuar fizikisht atë duke e kapur me forcë për krahu dhe e ka përplasur në dysheme, ndërsa këto veprime e pandehura i ka përsëritur edhe me 12 janar 2020, rreth orës 11:55, ku e ka goditur me shkop të drurit në duar dhe këmbë, ku si pasojë e dëmtuara ka pësuar dëmtime të lehta trupore si ndrydhje, mbrejtje të indeve të buta dhe gjakmbledhje nën lëkurore të nëngjurit të këmbës, me besueshmëri të shkaktuar nga veprimi mekanik i mjetit të fortë mbretës, me pasojë të përkohshme në shëndet. /BetimipërDrejtësi