Gjykata Themelore në Gjilan e ka dënuar me gjashtë muaj burgim, mjekun e Spitalit Regjional në Gjilan, Elez Elezi, i akuzuar për marrje të ryshfetit.

Sipas aktgjykimit të shpallur të mërkurën, atij do t’i llogaritet edhe koha e qëndrimit në arrest shtëpiak nga 22 maji 2012 deri më 7 qershor 2012, e që do fillojë ta vuaj pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit.

Ndaj tij është shqiptuar edhe dënimi plotësues, ndalimi i ushtrimit të funksionit si specialist i pulmologjisë në Spitalin Regjional në Gjilan për periudhën një vjeçare, e që do fillojë t’i llogaritet pas vuajtjes së dënimit me burgim, pasi ky aktgjykim të marrë formë të prerë.

Ky gjykim kishte nisur me aktakuzën e ish-Prokurorisë Komunale në Gjilan, e cila e ngarkonte të pandehurin Elez Elezi me veprën penale “marrje e ryshfetit”.

Sipas prokurorisë, i pandehuri në cilësinë e personit zyrtar, përkatësisht mjek në Spitalin Regjional në Gjilan, më 22 maj të vitit 2012, në zyrën e tij, ka kërkuar përfitim material për vete, për të kryer një veprim, e të cilin nuk është dashur ta kryej. Prokuroria pretendon se i pandehuri ka kërkuar nga e dëmtuara Lirije Hasani shumën prej 10 euro, për çdo raport specialistik të lëshuar nga ana e tij, duke marrë në tërësi nga e dëmtuara shumën prej 30 euro, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ndryshe, ky rast ishte kthyer dy herë në rigjykim.

Fillimisht, ndaj Elezit, më 19 tetor 2013, Gjykata Themelore në Gjilan kishte marrë aktgjykim dënues, më pas, më 13 nëntor 2013, Gjykatën e Apelit ka vërtetuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore. Ndërsa, në bazë të kërkesës për mbrojtje të ligjshmërisë, Gjykata Supreme më 16 janar 2014 kishte marrë aktvendim me të cilin kishte prishur aktgjykimet e Gjykatës Themelore në Gjilan dhe Gjykatës së Apelit, duke e kthyer lëndën në rigjykim.

Më 9 dhjetor 2015, trupi gjykues i udhëhequr nga gjyqtari Hasan Sadiku, kishte shpallur fajtor të pandehurin Elez Elezi, duke i shqiptuar dënim me burgim prej tre muajsh.

Ndërsa, në bazë të ankesës së mbrojtjes, lënda kishte përfunduar në Gjykatën e Apelit, e cila, më 5 maj 2016 e kishte kthyer lëndën përsëri në rigjykim.