Ali Rama pranoi fajësinë dhe tregoi pendesë në lidhje me shfrytëzimin ilegal të mineraleve.

Prokuroria themelore me datën 12 tetor 2017 ngriti aktakuzë kundër Ramës.

Në aktakuzën e prokurorit Enis Gashi thuhet se më 14 nëntor 2016, gjatë inspektimit nga Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale ka hasur operatorin ekonomik “Arbri-EB” SH.P.K, pronë e të pandehurit, pa leje përkatëse.

Sipas aktakuzës, i pandehuri ka operuar ilegalisht në shfrytëzimin e resurseve minerale, rërës dhe zhavorrit në mënyrë ilegale, duke qenë në kundërshtim kështu me Ligjin për Miniera dhe Minerale.

Edhe përkundër faktit se në këtë çështje mungoi përfaqësuesi i palës së dëmtuar-Komisionit të Pavarur për Miniera dhe MInerale, shqyrtimi vazhdoi me leximin e aktakuzës.

Menjëherë pasi prokurori e lexoi akatakuzën, i akuzuari Rama në praninë e gjykatësit Mentor Bajraktari deklaroi se “e pranon fajësinë bashkë me pendimin lidhur me këtë veprim”.

Po ashtu i akuzuari i paraqiti gjykatës një kopje të faturës prej 5000 mijë eurove që tha se ia kishte paguar Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale për dëmin e shkaktuar.

I njëjti theksoi se e ka marrë licencën nga ana e KPMM-së dhe se në të ardhmen nuk do të përsëriten veprime të ngjashme.

I akuzuari kishte kryer vepren penale të aktivitetit të jashtëligjshëm minerar, pa posedimin e një licence ose leje të lëshuar nga Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale.

Për shkak të këtij aktiviteti ilegal Ali Rama u dënua me gjobë prej 600 eurove si dhe me shpenzimet e procedures.