Ende është duke vazhduar gjendje e rëndë me deponitë ilegale të mbeturinave në komunën e Podujevës, raporton Llapi.info
Kur në shumë komuna të Kosovës për ‘Ditën e Tokës’ pastrohen rrugë e lagje, në komunën e Podujevës ankohen banorët për papastërti.
Lagjja ‘Mërqezi’ e cila shtrihet përgjatë rrugës “Jusuf Koliqi”, jo shumë larg qytetit të Podujevës vazhdon të jetë e vërshuar nga mbeturinat e shumta.
Banorët e kësaj ane kanë thënë për Llapi.info se nga këto mbeturina po u përkeqësohet shëndeti.
Sipas tyre, kjo deponi mund të shkaktojë rrezik për marrjen e ndonjë epidemie.
“Siç po e shihni edhe vet këtu gjendja është katastrofile. Nuk pse me dal jashta shtëpisë se të mbytë era e keqe e këtij bërlloku, edhe po kemi probleme me shëndet. Edhe mundet me u shkaktu ndonjë epidemi prej tyre” tha një banore e kësaj ane.
Lidhur me këtë Llapi.info, ka kontaktuar me shefin e Zyrës për Informim në komunën e Podujevës, Nazmi Elezi. Ai theksoi se është zgjedhur kompania ndërsa ka mbetur vetëm të nënshkruhet marrëveshja.
“Është në procedurë e sipër, javën tjetër pritet të nënshkruhet kontrata me kompaninë kontraktuese, edhe fillohet me zhdukjen e këtyre deponive” tha Elezi.
Kujtojmë, se ankesa nga qytetarët ka pasur edhe në lagje tjera për deponi të ndryshme ilegale në komunën e Podujevës.
Ndërsa, Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimi Hapësinor, Albena Reshitaj, ditë më parë kishte kërkuar nga komunat në Kosovë të i largojnë deponitë ilegale të mbeturinave./Llapi.info