Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, ka bërë të ditur se kjo parti ka dorëzuar edhe një kërkesë për mbajtjen e një seance të jazhtëzakonshme në lidhje me arrestimin dhe deportimin e gjashtë shtetasve turq.

Hoti njoftoi se Kryesia e Kuvendit nuk ka proceduar kërkesën e parë andaj edhe seanca nuk është mbajtur sot.

Kërkesa e LDK-së, sipas Hotit mbështetet edhe nga dy grupe të tjera parlamentare.

“Sot në orën 11:00 është dashtë të mbahet seanca e jashtëzakonshme për skandalin e deportimit jo ligjor të gjashtë shtetasve turq sipas kërkesës të Grupit Parlamentar të LDK-së, mbështetur edhe nga dy grupe të tjera parlamentare. Kryesia e Kuvendit nuk është mbledhur për të proceduar me këtë kërkesë dhe si rezultat seanca nuk mund të mbahet sot.
Ne kemi dorëzuar një kërkesë tjetër që kjo seancë të mbahet nesër në orën 14:00. Pres që Kryetari i Kuvendit të respektojë normat e Rregullores të Kuvendit dhe vullnetin e 40 deputetëve dhe të mbledhë sa më parë Kryesinë e Kuvendit për të caktuar seancën” shkruan Hoti.