Në një debat për cilësinë e bukës në Kosovë, deputeti nga Grupi i Pavarur i Deputetëve, Salih Salihu, ka hedhur iniciativën për hartimin e një projektligji për Bukën.
Ideja erdhi pasi, siç tha Salihu, në Kosovë ekziston një rregullore për Adivitin “i cili nuk po respektohet”.
“Përveç mishit si një produkt i rëndësishëm, rol të rëndësishëm ka edhe buka. Kosova konsumon bukë kryesisht të bardhë, për kokë banorë në vit shpenzohen rreth 200 kilogramë grurë dhe importohen 4 mijë tonë aditiv. E kemi parë të arsyeshme të nisim një projektligj”, tha deputeti Salihu i cili është anëtar i Komisionit Parlamentar për Bujqësi.
“Unë kam konsideruar që në iniciativën tonë për një projektligj për bukën duhet të përfshihen shumë akterë në një debat konstruktiv. Nuk po e dimë sa po zbatohet ligji për pasurimin e miellit me hekur dhe acid folik”, shtoi Salih Salihu.
Deputeti i AAK-së, Daut Haradinaj, tha se do ta mbështetë këtë iniciativë ligjore.
Ai madje përhapjen e sëmundjes së kancerit në Kosovë ia atribuoi cilësisë së ushqimit.
“Pas një debati që kemi bërë për mishin e kemi nxjerrë një rezolutë që trajton ushqimin në përgjithësi. Ne kolegët deputetë do ta mbështesim iniciativën ligjore. E kemi pa se kanceri është bërë si virus në Kosovë dhe ka rrjedhë prej cilësisë së ushqimit”, tha ai.
Haradinaj kritikoi Agjencinë e Veterinës dhe Ushqimit (AUV).
“Ju i leni vezët me një ditë afat me hy në Kosovë. Keni parasysh, jemi pa kompromis edhe si deputetë. As mos kërkoni mëshirë as ndihmë prej neve”, tha Haradinaj.
Ndërsa Muhamet Palezi nga Shoqata e Mullisëve të Kosovës tha se “është për t’u mërzitur që në Kosovë ka ushqime me afate të skaduara”.
“Kosova ka pasë një traditë për industrinë e blojës dhe atë traditë e ka vazhduar. Gjatë periudhës së pasluftës në funksion normal të punës janë 40 mullinj. Kapaciteti i tyre është tepër i lartë por shfrytëzohet deri 25 përqind”, tha Palezi.
“Në Kosovë kemi kapacitete aq bashkëkohore por importohet miell prej mullinjve të Serbisë”, shtoi ai.
Palezi u ankua edhe në “pengesat” që, sipas tij, po u vijnë nga shtetet fqinje, Maqedonia e Shqipëria.
Por Shefki Zeqiri nga Ministria e Bujqësisë, nuk u impresionua nga iniciativa e deputetëve për një ligj që rregullon çështjen e bukës në vend.
“Nuk mendoj që duhet me pasë ligj të ri për bukën. Mundemi ta bëjmë me udhëzim administrativ se ashtu duhet me nisë me ba ligj për secilin produkt”, tha Zeqiri.
Ndërsa përfaqësuesja e AUV, Iliriana Zymberaj, u ankua në kompetencat e paqarta që, sipas saj, kanë AUV dhe komunat.
“Kemi edhe inspektorë komunalë dhe kemi problematika me ta për shkak të dublifikimit të puënëve ose zbrastësirave. Ne po i marrim të gjitha përgjegjësitë e nuk marrin raporte nga komunat”, tha ajo./Kallxo.com