Anëtarët e komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti, Industri dhe Zhvillim Rajonal kanë përkrahur iniciativën të lejohet importi i makinave me të vjetra se 10 vjet.
Gjatë shqyrtimit të Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Automjete, deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku tha se veturat e vjetra nuk janë problem kryesor për ndotje të ambientit, prandaj edhe duhet të lejohet importimi edhe i atyre që janeë më të vjetar se 10 vjet, raporton Ekonomia Online.
“Nuk do të duhej të ishte vjetërsia e makinave problem për import sepse nuk është faktor i vetëm për ruajtjen e ambientit. Unë jam i pajtimit që të ketë kriter për import, por jo vjetërsia. Propozimi është që të ruhet aspekti i cilësisë”.
Edhe kryetarja Sala Berisha- Shala tha se vjetërsia e automjetit nuk është faktor kryesor në ndotjen e ambientit.
Sipas saj, duhet të kontrollohet cilësia e karburanteve që shiten në vendin tonë.
“Unë mendoj që vjetërsia e automjetit nuk është kryesorja që e bënë ndotjen e ambientit por duhet të kontrollojmë karburantin që hynë në Kosovë”.
Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami tha se duhet të bëhet analizë për problemet që shkaktojnë importimi i veturave të vjetra.
“Unë konsideroj që duhet një analizë më Detajuar për uljen e numrit të importimit të veturave të vjetra. Ne kemi familjar që jetojnë në shtetet perëndimore që kur donë me heq një veturë prej funksionit kushtojnë mirëpo të tilla shpesh vijnë në Kosovë. Në nuk kemi të dhëna të sakta edhe për aksidentet që shkaktohen nëse arsye është vjetërsia e veturave”.
Liburn Aliu tha se çështja e kriterit të vjetërsia vjen si rezultat i mungesës së mekanizmave të tjerë.
Bilall Sherifi nga Nisma Socialdemokrate tha se mbështet iniciativën e marrë nga deputeti Lushtaku.
“Kemi krijuar instrumente universale për të zgjidhur problemin. Unë mbështes iniciativën e Mërgimit por duhet të koordinojmë”.
Por Avdi Kamerolli, përfaqësues i ministrisë së Infrastrukturës, tha se ndryshimet ligjore Kosovën e shndërrojnë në varreza të makinave të vjetra. Sipas tij, përderisa Komisioni Evropian parasheh dhe këshillon Kosovën të ketë vetura ekologjike, ligji bie në kundërshtim me këtë kërkesë.
“Ndryshimet ligjore Kosovën e shndërrojnë në një varrezë të automjeteve te vjetra dhe të kalbura. Përderisa Komisioni Evropian parasheh dhe këshillon Kosovën të ketë vetura ekologjike, ligji bie në kundërshtim me këtë kërkesë. Nuk duhet të krijohet mundësia për një treg të çrregulluar”.
Nga janari i vitit 2018 të gjithë ata që kanë dashur të importojnë automjete më të vjetra se 10 vjet këtë nuk e kanë pasur këtë mundësi, pas ndryshimeve ligjore. Ligji u ndryshuar disa herë, fillimisht u lejua të importoheshin automjete deri në 8 vjet të vjetra, pastaj më 2011 u shtua deri në 13 vjet, për t’u hequr i tëri tash e disa vjet.