Vazhdimi i seancës së Kuvendit të Kosovës ka nisur sot me debatin lidhur mungesën e kabinetit qeveritar në Kuvend dhe grumbullimin e pikave të rendit të ditës.
Nga seancat paraprake janë mbledhur më shumë se 75 pika për tu diskutuar dhe për këtë pati reagime në seancën e sotme nga deputetët e Kuvendit.
Disa nga deputetët kanë shprehur pakënaqësinë e tyre për mos prezencën e kryeministrit të Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj në seancat e Kuvendit.
Shefi i Grupit parlamentar, Avdullah Hoti tha se duhet të dihet se dështimi i seancave nuk po ndodh për shkak të mosprezencës së opozitës, por për shkak të papërgjegjshmërisë së Qeverisë Haradinaj.
Ndërkaq, shefi i Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Glauk Konjufca tha se kryeministri Haradinaj e ka keqkuptuar rolin e tij.
Ai tha se Haradinaj nuk ka nevojë t’i kryejë edhe detyrat e ministrave. “ Këtu s’mban përgjegjësi askush”, ka thënë Konjufca.
Ndërsa shefi i Grupit parlamentar të Nisma për Kosovës, Bilall Sherifi, propozoi që të ketë çdo ditë të javës seancë deri sa të përfundojnë të gjitha pikat e grumbulluara.
“ Besoj që për këtë vit do të mjaftojnë këto pikat e rendit të ditës”, potencoi Sherifi.
Edhe shefi i Grupit parlamentar të PDK-së, Memli Krasniqi tregoi pakënaqësinë për vonesat interpelancave të kryeministrit të vendit Haradinaj, ku i quajti të ‘interpelanca të stërvonuara’.
Krasniqi tha se ky grumbullimin i pikave të rendit të ditës është përgjegjësi e Qeverisë dhe e Kuvendit të Kosovës.
“ Interpelancat e kryeministrit janë stërvonuar. Gjatë krejt vitit kemi pas edhe mungesën e deputetëve që kanë pamundësu pikat që janë dashur të shqyrtohen”, theksoi Krasniqi.
Ndërkaq, shefi i Grupit parlamentar të AAK-së, Ahmet Isufi tha se disa pika të seancave të Kuvendit mund të shqyrtohen nga deputetët edhe pa prezencën e kryeministrit Haradinaj.
“Duhet t’i kryejmë pikat e caktuara për sot. Nesër do të jetë kryeministri në interpelancë. Se di pse ju ka marr malli për kryeministrin kur këto pika mund t’i kryejmë edhe pa kryeministrin”, u shpreh Isufi.
Ndryshe, seanca e Kuvendit po vazhdon me pikat e rendit të ditës.