Qeveria e udhëhequr nga Ramush Haradinaj ka vendosur t’i “shpërblejë” deputetët e Kuvendit të Kosovës. Për herë të parë që nga koha kur Kuvendi është drejtuar nga Nexhat Daci, atyre priten t’u ngrihen pagat, ndonëse edhe në këtë nivel çfarë i marrin tash për tash, nuk janë të ulëta, shkruan AktivPress.

Në Projektligjin për pagat në sektorin publik, një kopje të të cilit e disponon gazeta, koeficienti i pagës së deputetit është llogaritur të jetë 8.5. Sipas dokumentit të proceduar në Kuvend, vlera e një koeficienti llogaritet 239 euro. Mbi bazën e kësaj, rezulton se paga bazë e një deputeti planifikohet të jetë 2031 euro. Aktualisht paga bazë e deputetit është 1488 euro. Nëse Projektligji për pagat miratohet në Kuvend, atëherë i bie që paga bazë e deputetit të jetë më e lartë për 543.5 euro.

Lartësia e pagës së deputetit është parashikuar të jetë e njëjtë me pagat që parashihen t’i marrin edhe ministrat, Drejtori i Agjencisë së Inteligjencës, Drejtori i Agjencisë Kundër Korrupsionit, gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese, ata të Gjykatës Supreme, kryetari i Dhomës së Posaçme, kryetari i Gjykatës së Apelit dhe zëvendëskryeprokurori Special.

Pagën më të lartë se deputeti, planifikohet ta kenë nënkryetarët dhe kryetari i Kuvendit.

Pesë nënkryetarët e Kuvendit parashihet të kenë pagë prej 2151 euro, pasi koeficienti i tyre është përcaktuar të jetë 9.

Ndërsa paga e kreut të Kuvendit është renditur në rangun e pagës së kryeministrit dhe kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, me koeficient 11, apo shprehur në para, 2629 euro.

Por paga bazë nuk është përfitimi i vetëm i deputetëve.

Në Projektligj është definuar që deputetët mund të përfitojnë shtesë të posaçme mbi pagën bazë. “Shtesa e posaçme nuk mund të kalojë 20% të pagës bazë”, thuhet në këtë dokument.

Prej vitesh, ligjvënësit marrin një sërë shtesash për punët për të cilat janë të thirrur për t’i kryer.

Katër kryetarët e komisioneve më të rëndësishme parlamentare: Komisionit për Buxhet, atij për Ekonomi, Komisionit për Kthim dhe Komunitete dhe Komisionit për Integrime Evropiane, marrin nga 400 euro shtesë. Kryetarët e komisioneve të tjera marrin nga 200 euro.

Zëvendëskryetarët e komisioneve marrin 50 % të shtesës që marrin kryetarët e komisioneve. Shtesa marrin edhe shefat e Grupeve parlamentare. Për këtë detyrë, ata kompensohen nga 400 euro në muaj.

Veç shtesave në paga, ata marrin edhe mëditje dhe shujta. Deputetët që udhëtojnë deri 30 km për të ardhur në Prishtinë, u jepet mëditje në vlerë prej 10 eurove.

Atyre që udhëtojnë në largësi prej 30 deri në 60 km, 20 euro. Kurse, deputetëve që kanë relacion më të gjatë se 60 km, 30 euro.

Ndërkaq për shujtë ata marrin nga 5 euro.

Nëse Projektligji kalon në Kuvend, atëherë secili deputetë mund të marrë së paku 2400 euro në muaj, për sa kohë që kryetari do ta kalojë tre mijëshen e të hyrave mujore nga Kuvendi.