Muharrem Nitaj, deputeti i AAK’së ka thënë se u ka dalë ngjyra fjalëve të liderëve opozitarë që po kërkojnë rrëzimin e Ramush Haradinajt nga Qeveria. Ka thënë se ata, përfshirë Albin Kurtin, janë bërë sikur papagaj.
“Këta opozitarët, duke përfshirë edhe Albin Kurtin, e kanë në gjak kërkesën për dorëheqjen e Ramush Haradinajt, por janë duke e përsëritur si papagalli, dhe këtyre fjalëve u ka dalë boja. Fjalët e tepërta janë fukarallëk”, ka thënë Nitaj, për Express, të shtunën.
Reagimi i anëtarit të Kryesisë së AAK’së ka ardhur pas kërkesës së sotme të Albin Kurtit, i cili tha se Ramush Haradinajt duhet të shkojë në shtëpi meqë është shndërruar në argat të Hashim Thaçit.
Në anën tjetër, Nitaj u ka bërë thirrje opozitës të rrëzojnë Qeverinë nëse munden ndërsa ka thënë se secili duhet ta mbajë për vete se kush kujt po i bën argat.
“Le t’veprojnë e ta përmbysin Haradinajn, nëse munden, ndërkaq vlerësimet se kush janë argat i kujt është, le t’i mbajnë për vete!’”, ka shtuar Nitaj.
Ky zyrtar i AAK’ë i është përgjigjur Kurtit edhe për akuzën se Haradinaj ka mashtruar Shtetin e Kosovës kur ka miratuar demarkacionin me Malin e Zi dhe i ka humbur tokë Kosovës.
Por, Nitaj ka thënë se Ramush Haradinaj Është lideri që ka punuar shumë për kufirin e Kosovës për dallin prej liderëve të tjerë.
“Sikur kundërshtarët e Haradinajt të kishin bërë sa ka bërë ai për këtë kufi, sot kjo çështje do të ishte e sosur”, ka shtuar ai.
Nitaj është rikthyer kohës kur është miratuar demarkacioni me Malin e Zi, duke thënë se Ramush Haradinaj ka arritur të obligojë Malin e Zi të korrigjojë kufirin me Kosovën.
“E para, Qeveria nuk e ka votuar demarkacinin por e ka votuar Parlamenti. Kryeministri me shumë mund ka arritur që kësaj marrëveshjeje t’ia shtojë edhe raportin e Komisionit Bulliqi dhe Deklaratën e dy Presidentëve që obligon palët për korrigjimin e kufirit në dy segmente, atë të Kullës dhe të Çakorrit”.
Në anën tjetër lideri i partisë së tretë në Kosovë, Albin Kurti, ka lëshuar akuza sot në drejtim të Ramush Haradinajt, duke thënë se i shiti 8 mijë e 200 hektarë tokë në këmbim të liberalizimit që ende nuk po ndodh.
“Haradinaj lider që ia mban fjalën popullit? Jo, veçse argat i Thaçit që mbahet për karrige. Haradinaj duhet të japë dorëheqje: ajo e votoi dhurimin e territorit të vendit duke mashtruar publikun, edhe për korrigjimin, edhe për liberalizimin”, ka shkruar Kurti, sot, në një postim në FB.