Nils Schmid, ka publikuar një video në rrjetin social Twitter, ku ka shprehur hapur mbështetjen e tij për Lëvizjen Vetëvendosje dhe kandidatin e saj për kryeministër, Albin Kurtin.
Ai u është drejtuar qytetarëve të Kosovës duke thënë se “Kosova ka nevojë për një udhëheqje moderne e proevropiane” dhe sipas tij, Vetëvendosje dhe Albin Kurti janë njerëzit e duhur për ta udhëhequr vendin drejt së ardhmes.
Ai ka thënë se në rrugën e Kosovës drejt integrimeve evropiane duhet të ketë investime në arsim, kohezion shoqëror duke respektuar pakicat, luftë kundër korrupsionit dhe mirëqeverisje dhe sipas tij, “për t’i arritur këto qëllime dhe integrimin e plotë të Kosovës në Bashkimin Evropian qytetarët e saj duhet ta mbështesin Albin Kurtin”.
Ai e ka përfunduar video-porosinë e tij duke thënë se socialdemokratët e Gjermanisë janë të bindur se Vetëvendosje dhe Albin Kurti janë njerëzit e duhur për t’i arritur këto synime të vështira për Kosovën dhe Evropën.