Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Haxhi Avdyli, ka alarmuar se në Bruksel po përgatitet zhbërja e shtetit.
Deputeti i LDK-së, Haxhi Avdyli, ka reaguar pas takimit të koordinatorit të Kosovës Skënder Hyseni dhe atij Serbisë Marko Gjuriq me ndërmjetësimin e emisarit të BE-së Miroslav Lajçak në Bruksel, duke thënë se dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ‘po prodhon pika në interes të Serbisë’.
Ai në një postim në Facebook shkruan se pikat e krijuara në procesin e dialogut në Bruksel janë të dëmshme për ekzistencën e shtetit të Kosovës.
“Dialogu Hyseni-Gjuriq me ndërmjetësimin e Lajçak, po prodhon 9 pika ku përveç pagjeturve të gjitha pikat tjera janë pika 100% për interesa serbe, dhe tmerrësisht të dëmshme për ekzistencën e shtetit të Kosovës. Në Bruksel po përgatitet sakatimi apo zhbërja e shtetit të Kosovës dhe hapja e debatit per 20 vite tjera a me njoh këtë shtet të dështuar Serbia apo jo”, ka shkruar ai.
Postimi i plotë, pa ndërhyrje:
Dialogu Hyseni-Gjuriq me ndërmjetësimin e Lajçak, po prodhon 9 pika ku përveç pagjeturve të gjitha pikat tjera janë pika 100% për interesa serbe, dhe tmerrësisht të dëmshme për ekzistencën e shtetit të Kosovës.
Kthimi i serbëve të zhvendosur, kthimi pronave për Serbinë , eksterritorialitet per kishën serbe, kthimi i tregut për Serbinë dhe asociacioni me kompetenca ekzekutive me shtet brenda shtetit të Kosovës e shumëçka që vetëm ëndërr do kishte parë Millosheviqi.
Dhe ironia më e madhe dhe poshtërimi që i bëhet Kosovës është hapet DEBATI për njohje reciproke. Hysenit e Lajçakut duhet treguar që debat për njohje kemi pasur 20 vjet, dhe ky debat mundet me zgjat edhe 50 vjet tjera.
Në Bruksel po përgatitet sakatimi apo zhbërja e shtetit të Kosovës dhe hapja e debatit per 20 vite tjera a me njoh këtë shtet të dështuar Serbia apo jo. Kaq.