Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Jahja Kokaj, thotë se duhet të ringjallet interesimi i qytetarëve për shkencë.
Kokaj në “Info Magazine” bëri të ditur arsyet se pse hyri në politikë.
“Duhet të ngjallet kureshtja dhe interesimi i njerëzve që të japin edhe kontribut material – mirëpo, kontributi për shkencë dhe hulumtime këtu [në Kosovë] është zero. Prezenca ime në politikë është që të kem një fuqi politike që të bindi njerëzit që të japin investime për të rritur numrin e hulumtimeve rreth shkencës”.
Kokaj që me profesion është shkencëtar thotë se shumë pak kuptohet nga pjesëtarët e Komisionit Parlamentar për Arsim, Shkencë dhe Inovacion.
“Unë bëjë pjesë në Komisionin për Arsim, Shkencë dhe Inovacion dhe uluroj vazhdimisht për gjërat që po flas këtu rreth shkencës pasi shumë pak më kuptojnë njerëzit aty pasi ka munguar një interesim për shkencën, teknologjinë e kjo është edhe arsyeja pse në PISA dalim kaq dobët”.
“Për shumë kohë ka munguar tretmani bashkëkohor i transmetimit të informacioneve tek nxënësit në mënyrë kreative që të ngjallet kreativiteti tek fëmijët”, tha Kokaj.