Deputeti nga Podujeva, Fidan Rekaliu ka folur sot në seancën e Kuvendit, ku u diskutua fati I të pagjeturve.
Ai në fjalimin e tij ka kërkuar nga të gjitha mekanizmat e shtetit dhe ata ndërkombatar që të angazhohen për gjetjen e tyre.
Rekaliu potencoi se trysnia ndaj Serbisë, sidomos nga akterët ndërkombëtar do të sillte rezultatet në këtë çështje.
Më poshtë fjalimi i plotë:
Të nderuar deputetë,
Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës,
Si deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës, e vlerësoj si mjaftë të qëlluar iniciativën e dy kolegëve që e kanë inicuar thirrjen e kësaj seance për njërën nga plagët ende të pa shëruar të luftës së fundit.
Kuvendi i Republikës së Kosovës, si institucioni më legjitim dhe më i lartë përfaqësues i Popullit dhe shtetit të Kosovës, i takon të merret seriozisht, por edhe të marr qendrim të qartë dhe të vendosur për cështjen e të pa gjeturve në vend. Ashtu sic duhet të jemi të qartë, të drejtë dhe parimor kur shprehim mirënjohjen e thellë për ndihmen vendimtare që miqtë tanë ndërkombëtar i kanë dhënë vendit, po kaq të drejtë dhe parimor duhet të jemi kur duhet t’i kritikojmë ata. Nëse ka një rast, kur organizmave ndërkombëtar, duhet t’u themi se ne s’jemi të kënaqur me qasjen tuaj, atëherë, ky është fenomeni me të pa gjeturit. Ata kanë mundur dhe mund të detyrojnë Serbinë që të zgjidhë këtë cështje.
Institucionet e përfaqësuese të Republikës së Kosovës, më saktë, bartësit e tyre, sot nuk duhet të ndjehen mirë. Edhe ata, kanë mundur të bëjnë më shumë për ta shtyrë shtetin e Serbisë të marrë përgjegjësitë e saj. Nuk ka vlerë as parim, as politikë e as pragmatizëm, që mund të justifikojë heshtjen përballë fshehjes së krimeve. Sic dihet botërisht, fshehja e krimit, është krim në vetëvete. Familjet kosovare, pa dallim, qytetarët dhe vet shteti i Kosovës, kanë të drejtë të kërkojnë në cdo moment, zgjidhjen e kësaj plage që vijon e pambyllur tash e gati 19 vjet.
Fqinjësia e mirë, ndërtimi i marëdhënieve dhe zgjidhja e mosmarrëveshjeve në rrugë paqësore, janë atribute themelore të shteteve perëndimore demokratike, për të cilat, Kosova i ka pranuar dhe synon që t’i avancojë ato. Megjithatë, asnjë lloj pajtimi historik, fqinjësi të mirë apo normalizim mardhëniesh nuk mund të jetë i qëndrueshëm, me një problem apo plagë kaq të rëndë që qëndron në mes të dy vendeve. Ka një moment, kur diplomacia, politika dhe pragmatizimi duhet të heshtin; ato janë faktet dhe rrethanat që për bosht kanë vlerën më të lartë të njerëzimit, e që në këtë rast është raporti i palëve me jetën e njeriut. Rrjedhimisht, përfundimi më i qartë logjik në rastet si kjo do të ishte që të aplikoheshin parimet themelore evropiane të respektimit të të drejtave dhe dinjitetit njerëzor dhe cilado përpjekje për fillimin e normalizimit të mardhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, do të duhej të niste me zgjidhjen e këtij problemi kaq të rëndë sic janë të pagjeturit. Në funksion arritjes së qëllimeve nga të gjitha palët, përfshirë edhe bashkësinë ndërkombëtare, e vlerësoj se duhet të kërkohet me vendosmëri, që vijimi I procesit të normalizimit dhe marrëveshjes me Serbinë, të përfshijë në radhë të parë zgjidhjen e problemit me të pagjeturit. Ju faleminderit.