Kryetarja e Komisionit për Integrime Evropiane, Blerta Deliu, i tha të hënën televizionit publik se në muajin qershor pritet të nxirret një rekomandim pozitiv për liberalizimin e vizave.
Duke komentuar vizitën e fundit të komisionit faktmbledhës të BE-së në Kosovë, ajo tha se ky delegacion është informuar për të dhënat e fundit në luftimin e krimit dhe korrupsionit si një nga kushtet e fundit për liberalizimin e vizave.
Sipas saj, Kosova ka shënuar rezultate të mira sa i përket pakos ligjore që lidhen konkretisht me forcimin e rendit dhe ligjit.
“Besoj se ky delegacion me të dhënat që ka marrë në Prishtinë në qershor do të arrijë të nxjerrë një rekomandim pozitiv për liberalizimin vizave për Kosovën”, tha ajo.
Deputetja e PDK-së, Deliu-Kodra tha se luftimi i krimit të Korrupsionit jo vetëm që është një kriter që duhet përmbushë Kosova , por që forcon rrugën e Kosovës jo vetëm në integrime evropiane por edhe në mekanizma të ndryshëm rajonal.
Ajo tha se nëse këtë vit nuk ndodhë liberalizimi i vizave kjo do të ishte shumë dekurajuese për qytetarët e vendit, derisa shfaqi shpresën se në muaj qershor do të nxirret një rekomandim pozitiv për liberalizimin e vizave për shkak siç tha Deliu, të rezultateve që kanë shënuar institucionet e shtetit në drejtim të luftimit të krimit dhe korrupsionit.