Llapi dhe Ballkani kanë barazuar 1-1 në derbin e xhiros së 14-të, njofton Llapi.info.
Ndeshjen e nisën mirë nikoqirët të cilët rrezikuan portën e Llapit qysh në minutën 7’ me anë të Blendi Baftiut. Rastin e dytë për vendasit e pati edhe Jetmir Topalli në minutën e 20’, por goditja e tij përfundoi mbi portë.
Rezultati u zhbllokua tek në minutën e 33’, kur nga penaltia i saktë u tregua Sebino Plaku që i dhuroi epërsinë Llapit. Me këtë rezultat 0-1 në të mirë të llapjanëve përfundoi pjesa e parë në stadiumin e qytetit në Suharekë.
Pjesa e dytë ishte më dinamike. Fillimisht Sebino Plaku i Llapit realizoi gol në minutën e 65’, por që gjyqtarët e anuluan si të parregullt. Kurse, nikoqirët e barazuan rezultatin më minutën e 71’ me anë të Arbër Potokut. Me këtë rezultat u mbyll derbi i kësaj jave në futbollin kosovar.
Pas këtij barazimi, Llapi numëron 24 pikë në vendin e pestë, ndërsa Ballkani kryeson në tabelë me 30 sosh.
Në ndeshjen e radhës, Llapi do ta zhvillojë derbin tjetër në Zahir Pajaziti me Prishtinën, ndërsa Ballkani udhëton në Mitrovicë për t’u përballur me Trepçën ’89./Llapi.info