Llapi udhëton në Gjilan për të zhvilluar ndeshjen e fundit të fazës së parë të garave të Superligës së Kosovës në futboll, njofton Llapi.info.
Sikurse llapjanët, edhe djelmoshat e Gentian Mezanit synojnë arkëtimin e pikëve të plota në këtë takim, të cilat skuadrën fituese do ta ngritin në krye të tabelës.
Dueli i javës 11-të ndërmjet Gjilanit dhe Llapit do të zhvillohet sot me fillim nga ora 14:00 në stadiumin “Agim Ramadani- Katana”, në Gjilan.
Bardh e kaltrit nga Podujeva në këtë ndeshje hynë pas fitores bindëse në Zahir Pajaziti ndaj Trepçës ’89, kurse Gjilani mposhti Feronikelin në Drenas.
Tahir Batatina ka publikuar listën e të ftuarve për këtë përballje, derisa nuk mund të llogarisë në Bledar Hajdinin, Xhelil Abdullahu dhe Mentor Mazrekajn të gjithë këta lënduar, kurse Mentor Zhdrella është i suspenduar. Përkundër Batatinës, në ekipin e Mezanit nuk është përfolur për ndonjë mungesë.
Pas xhiros së dhjetë, Gjilani radhitet në pozitën e dytë me 21 pikë, aq sa ka edhe lideri aktual Drita, kurse top treshen e tabelës e mbyll Llapi me vetëm një pikë më pak se ekipet e gjilanasve.
Selim Isufi, i asistuar nga Meriton Berisha dhe Erdoan Baliqi do ta ndajnë drejtësinë në këtë përballje./Llapi.info