Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ), sot ka bërë shpalljen e rezultateve përfundimtare të kandidatëve për deputetë të partive politike, njofton Llapi.info.
Sipas KQZ-së, ndarja e ulëseve në Kuvendin e Kosovës do të jetë kështu: LVV 32 deputetë, LDK-29, PDK-25 , AAK-PSD-14, Lista Serbe-10 deputetë, VAKAT-2, KDTP-2, Partia Liberale Egjiptiane-1, Nova Demokratska Stranka-1, Partia e Ashkalinjve për Integrim-1, Inciativa e Re Demokratike e Kosovës-1, Jedinstvena Goranska Partia-1 dhe Partia Rome e Bashkuar e Kosovës-1.
KQZ-ja e zyrtarizoi se koalicioni NISMA-AKR-PD, s’e ka kaluar pragun dhe kështu mbetet jashë Kuvendit.
E nga Podujeva, deri më tani, katër deputetë kanë siguruar ulësen në Kuvend. (2 Vetëvendosje, 1 LDK dhe 1 PDK).
Në këtë zgjedhje, nga LDK-ja e Podujevës kanë garuar gjashtë kandidatët: Fidan Rekaliu, Ekrem Hyseni, Nexhmi Rudari, Florie Besholli, Visar Hoti dhe Hamdi Jaha.
Nga të dhënat që i ka publikuar KQZ, deri më tani vetëm Ekrem Hyseni ka arritur t’i sigurojë votat e mjaftueshme për të qenë pjesë e Kuvendit.
Kurse, nga Vetëvendosje Saranda Bogujevci dhe Shpejtim Bulliqi tashmë do të jenë pjesë e legjislaturës së nëntë të Kuvendit.
Në anën tjetër, PDK-ja në Podujevë do ta ketë vetëm një deputet në Kuvend. Sipas KQZ-së, Floretë Zjenullahu ka siguruar ulësen në Kuvend./Llapi.info