Jemi mësuar që të blejmë speca djegës e të na dalin të padjegstë. Por, specat e rinj edhe nëse nuk do djegin gojën tonë, do ta djegin xhepin tonë.

Përfitimet shëndetësore të specit djegës janë të shumta. Pro-vitamina A dhe vitamina C në specat djegës ndihmon shëndetin kardiovaskular, zvogëlon rreziqet e kancerit, lufton infeksionet apo edhe promovon rritjen e qelizave të kuqe të gjakut. Bile janë të njohur si erëza që shtojnë shijen e shujtes.

Ama, kosovarët s’do ta shijojnë çmimin e specave djegës.

Nacionale ka vëzhguar gjatë ditës dhjetëra markete e supermarkete nëpër Prishtinë, dhe çmimi për kilogram ishte xhahil.

Çmimi më i lirë për kilogram që u pa ishte 4.60 euro, ndërsa më i larti deri në 5 euro për kilogrami. Bile, nëpër disa markete të vogla, çmimi për kilogram shkon edhe më shumë, pasi duket se atyre ju është rritë edhe më shumë çmimi i furnizimit se sa supermarketeve.

Në anën tjetër, disa menaxherë të supermarketeve i thanë Nacionales se ‘’janë do speca [djegës] që shkojnë edhe deri në 6 euro kilogrami’’, por që momentalisht s’kanë arritë të furnizohen me atë produkt që për nga çmimi qenka edhe më ‘‘djegës’’.

Rritje të çmimit të kilogramit për speca djegës pati edhe në tregun e gjelbër, ani pse ishte më i lirë se ai i supermarketeve. Nacionale shikoi nga afër tregun e gjelbër në lagjen Ulpiana në Prishtinë, ku çmimi ishte më së shumti 4 euro për kilogram. Por, tregtarët e tregut të gjelbër thanë se para 1 muaji çmimi për kilogram ishte vetëm 1.5 euro.

Nga këqyrja e markteve e supermarketeve, Nacionale vërejti se gati në të gjitha pikat e shitjes, specat djegës vinin nga i njëjti vend. Që prej vitit 2018 ekziston vendim qeveritar që obligon marketet që pranë produkteve të vendosen flamujt e vendit të origjinës së produktit.

Pranë çmimit enorm të specave djegës ishte edhe flamuri i Greqisë.

Shumica e tregtarëve me të cilët bisedoi Nacionale thanë se ky produkt importohet kryesisht nga shteti grek. Po ashtu, u përmend edhe Turqia si vend nga vjen speci djegës, por që momentalisht thanë se nga ky vend nuk ka speca të importuara.

‘‘Specat që i kemi janë prej Greqisë’’, tha njëri prej menaxherve të një prej pemishteve në qendër të Prishtinës.

Ai theksoi se rritja enorme e çmimit të specave djegës vjen pasi është rritur dukshëm çmimi i furnizimit, dhe që pikat që importojnë specat i kanë thënë se rritja e çmimit të naftës dhe energjisë elektrike i ka detyruar ata të rrisin çmimet dhe se nëse vazhdohet me këto ritme nuk besojnë se mund t’i zbresin çmimet për specat djegës.

Menaxheri tjetër i një supermarketi i tha Nacionales se janë të vetëdijshëm se çmimet janë rritur drastikisht. Ai beson se nëse qeveria do të ndërhynte me largimin e TVSh-së për produktet bazë, atëherë do të ndryshonte gjendja.

‘‘Natyrisht se i kishim ulë çmimet’’, thotë ai, duke shtuar se deri kah vera, kur pritet të dalin në treg specat vendorë, pa uljen e TVSh-së, vështirë se mund të ndodhë ulja e çmimit të specave.

Gjatë muajve të fundit, kosto e shportës së ushqimit është rritur dukshëm, e po ashtu edhe çmimet e derivateve të naftës, energjisë elektrike, udhëtimit dhe shërbimeve tjera. Qeveria e Kosovës deri tash ka ndërhyrë vetëm duke e subvencionuar rritjen e çmimit të energjigsë elektrike, ndërsa kërkesat për heqjen e TVSh-së nuk është marrë parasysh nga qeveritarët, ani pse dikur ishte ndër parimet qeverisëse të partisë së tyre me emrin Vetëvendosje, e cila premtonte se edhe pa një krizë të tillë do ta largonte TVSh-në për produktet bazë.

Po ashtu, qeverisë i është kërkuar edhe heqja e akcizës për disa produkte e çka do ta zbriste çmimin e shitjes së tyre në treg.

Shtrenjtimi enorm i çdo aspekti të jetës në Kosovë e ka përballë qeverinë edhe me kërkesa tjera. Ndër më të zëshmet e këtyre ditëve është kërkesa për tërheqjen e 30% të trustit pensional. Partitë opozitare e kanë përkrahur idenë që në kohën kur kemi krizë ekonomike dhe rritje marramendëse të çmimeve, qyetetarët të ndihmohen duke tërhequr këto mjete financiare. Po ashtu, në një hulumtim të opinionit të publikuar nga Pyper, del se 79% e qytetarëve përkrahin tërheqjen e 30% të kursimeve nga fondi pensional i Kosovës.

E kundër kësaj ideje, ka dalë Lëvizja Vetëvendosje, që është shumicë parlamentare, dhe pa votat e saj në Kuvend s’do të mund të kalojë kjo ide.

Gjatë ditës edhe Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka nxjerrë raportin ‘‘Çmimet Ditore të Artikujve Bazë në Prishtinë’’. Edhe në raportet e tjera të ASK-së shihet se rritja e çmimeve të produkteve bazë ka vazhduar përgjatë muajve të fundit, e po ashtu në raportet e mirëqenies së qytetarëve, ASK shpalos të dhëna që tregojnë se mirëqenia e kosovarëve ka rënë dukshëm përgjatë krizës së shkaktuar nga pandemia Covid-19, pastaj rritja e çmimit të energjisë, si dhe pasojat ekonomike të shkaktuara nga lufta në Ukrainë.