Për të dytën herë radhazi ka dështuar ndërtimi i “Bulevardit të Dëshmorëve”, në qendër të Podujevës, raporton Llapi.info
Rreth 1 milion euro të destinuara për këtë projekt, vitin e kaluar ishin rialokuar për asfaltimin e disa rrugëve. Kjo është përsëritur edhe këtë vit, rreth 700 mijë euro për këtë projekt janë rialokuar për ndërtimin e rrugëve në qytet dhe fshatra të Komunës së Podujevës.
Partitë opozitare në Podujevë dështimin e këtij projekti për dy vitet radhazi, e kanë cilësuar si projekt të rremë gjatë fushatës së fundit zgjedhore. Lirika Maliqi, nga Lëvizja Vetëvendosje, thotë se ky projekt është përdorur për fushatë elektorale.
“Vendimi i komunës lidhur me bulevardin është hiç më shumë se një premtim i rrejshëm i fushatës elektorale me qëllim të përfitimit të votave. Do të isha shumë e lumtur nëse ky projekt do të realizohej, mirëpo duke i njohur tash e sa kohë veprimet dhe traditën e tyre në manipulime, jam shumë skeptike për realizimin e këtij projekti”, ka thënë Maliqi për Llapi.info
Sipas saj, dështimi i këtij projekti nuk është risi në Komunën e Podujevës.
“Një gjë e tillë nuk është risi pasi që asnjëherë, asnjë projekt që e kanë planifikuar nuk e kanë përfunduar, çdo herë është bërë rialokimi i mjeteve në projekte tjera të cilat nuk kanë pasur të bëjnë fare me premtimet e kryetarit”, ka potencuar Maliqi.
Mendim të njëjtë ka shprehur edhe Fatmir Rudari, këshilltar në Podujevë nga radhët e PDK-së. Sipas tij, realizimi i këtij projekti do t’i duhej Podujevës.
“Në kohën e fushatës së zgjedhjeve të fundit Komunale në Podujevë, kryetari aktual pati premtuar që të rregullohet në qendrën e qytetit të Podujevës “Bulevardi i Dëshmorëve”. Por në të njëjtën kohë kishin filluar punimet për asfaltimin e kësaj rruge, ku kishte krijuar tollovi dhe ishte ngarkesë e madhe për lëvizjen e qytetarëve. Ne si këshilltarë Komunal në Komunën e Podujevës do t’i krenoheshim një projekti të tillë, ngase komuna jonë dhe qytetarët e saj e meritojnë lëvizjen për një shesh me emrin e dëshmorëve “Zahir Pajaziti, Hakif Zejnullahu, Ilir Konushefci dhe Ali Ajeti”, kur dihet që treva jonë i dha shumë dëshmorë Kosovës”, ka thënë ai.
Sipas tij, ky projekt është përdorur për fushatë dhe tani i njëjti është lënë në harresë.
“Ky projekt ka dështuar për të dytën here, dhe nuk po mundë të realizohet. Ne si këshilltarë në Kuvendin Komunal të Podujevës nuk kemi informacione zyrtare pse nuk u realizua ky projekt, a u zgjedh kontesti pronësor dhe pse nuk është planifikuar me kohe. Por, ky projekt është përdorur në kohë të fushatës vetëm për përfitim të votave dhe ka mbetur në harresë”, ka thënë Rudari.
Në ndërkohë, në vendimin e dhënë nga i pari i Podujevës, Agim Veliu thuhet se për rialokimin e mjeteve nga granti qeveritar dhe të hyrat vetanake 10 dhe 21 për investimet kapitale 30. Nga programi 66030-Planifikimi Hapësinor dhe Rregullativ, kodi funksional -0620, fondi burimor-10, kategoria ekonomike dhe investime kapitale, kodi 30:
Ndërtimi i Bulevardi dhe Sheshit “Sheshi i Dëshmorëve (Zahir Pajaziti, Hakif Zejnullahi, Ilir Konushefci, Ali Ajeti) në qendër të qytetit, kodi -46937, shuma 743 mijë euro.
Rialokohen në:
– Asfaltimin e disa rrugëve në fshatin Balloc, kodi-46159, shuma 6 mijë e 500 euro.
– Asfaltimin e e disa rrugëve në fshatin Llapashticë e Epërme, kodi-46437, shuma 9 mijë e 900 euro.
– Asfaltimi i rrugës në fshatin Bellopojë, kodi-43161, shuma 12 mijë e 900 euro.
– Ndërtimi, shtimi, rritja dhe mirëmbajtja (në pronën publike të qytetit), kodi-46390, shuma 10 mijë euro.
– Zgjerimi, ndërtimi dhe asfaltimi i rr. “Zahir Pajazti” dhe “Skënderbeu” në qytet, kodi 44621, shuma 703 mijë e 700 euro./Llapi.info