Protesta e organizuar sot nga kryetari i grupit të pavarur të studentëve, Argjend Softolli, kundër shpenzimeve enorme të komunës së Podujevës nuk ka shkuar siç ishte planifikuar. Numri i pjesëmarrësve nuk numronte as 10 vetë.

Softolli tha kjo nuk është një protestë, por një aksion simbolik në të cilin mjafton edhe ky numër i pjesëmarrësve.

“Është një aksion simbolik, në të cilin nuk nevoiten një mijë ose dy mijë veta. Është një njoftim për qytetarët se kryetari i komunës dhe zyrtarët komunal po shpenzojn shumë. Janë shpenzime enorme. 95mijë euro për dreka dhe darka, 7 mijë euro telefon, janë të tepërta, dhe shume e shume shpenzime të tjera që nuk janë të arsyeshme. Javën tjetër do organzojmë një protestë më masive ku do marin pjesë edhe organizatat dhe partitë politikë,” ka thënë Softolli.

Nga ana tjetër, Nexhmi Rudari, nënkryetar i komunës së Podujevës tha se shpenzimet e komunës janë bërë në përputhje me ligjin dhe buxhetin e paraparë.

“Të gjitha shpenzimet që janë bërë nga komuna e Podujevës kanë qenë të parapara në buxhet dhe janë bërë në përputhje me ligjin. Asnjë cent nuk është shpenzuar pa qenë i planifikuar. Ata pretendojn se komuna ka bërë 104 mijë e 201 euro shpenzime për energji elektrike, për pa e llogaritur se këtu hyjnë të gjitha shpenzimet e energjisë në komunë, në të gjitha shkollat, në qendrat e mjekësë familjare, me një fjalë në të gjitha insitutucionet publike të komunës,” ka thënë Rudari.

Ai po ashtu ka thënë se komuna në krahasim me vitin e kaluar ka bërë ulje të shpenzimeve në të gjitha kategoritë.

“Në krahasim me vitin e kaluar komuna ka bërë ulje të shpenzime. Shpenzimet për telefon fiks janë ulur për 43%, për telefon mobil 38%, për energji elektrike 0.27%, mbeturina 21%, mirëmbajtje e veturave 34% dhe mirëmbajtja e rrugëve 93%./llapi.info