Seanca gjyqësore ndaj Sokol Bashotës ish -kryetarit të Komunës së Klinës dhe të tjerëve të akuzuar ka dështuar të mbahet sot pasi ka munguar përfaqësuesi i palës së dëmtuar, “Komunës së Klinës, Ali Shala”.
“Shqyrtimi gjyqësor nuk mund të vazhdoje pa praninë e palës së dëmtuar, sepse është shkelje procedurale. Unë kam komunikuar me përfaqësuesin e palës së dëmtuar, dhe kam kërkuar që të vije në seancë, ndërsa i njëjti është arsyetuar se është i angazhuar në gjykatë në Klinë”, tha kryetari i trupit gjykues, Sylë Lokaj.
Seancat e radhës janë caktuar për datat 18, dhe 19 tetor.
Dje gjatë ditës u mbajt shqyrtimi gjyqësorë në të cilin u dëgjuan 6 dëshmitarë, kjo edhe pse nuk ishte i pranishëm përfaqësuesi i të dëmtuarës.
Gjyqtari i çështjes nuk dha arsyetim se pse seanca e sotme është shtyrë, ndërsa dje gjatë ditës u mbajt pa prezencën e përfaqësuesit të palës së dëmtuar.
Sokol Bashota, Enver Berisha, Fadil Gashi dhe Esat Raci akuzohen se në bashkëkryerje, kanë keqpërdorur pozitën dhe autoritetin zyrtar, sepse në bashkëkryerje pasi kanë rënë dakord që së paku 6 nga 10 banesat në pronësi të Komunës së Klinës t’u caktojnë një çmim për qira për vetveten dhe për eksponentët e partive të tyre politike, raporton kallxo.com.
Sipas aktakuzës këtë e kishin bërë pa plotësuar kriteret objektive dhe duke i anashkaluar aplikantët, gjendja ekonomike e të cilëve ishte e keqe.
Mbi ish-kryetarin e komunës së Klinës, Sokol Bashota, rëndojnë katër vepra penale për mos raportim apo raportim të rremë të pasurisë, të ardhurave, dhuratave apo dobisë tjetër materiale, apo detyrimeve financiare.