Çatitë e shkollave që u dëmtuan si pasojë e erërave të forta në fillim të këtij viti, parashihej që të rinovoheshin deri në fillimin e vitit të ri shkollor 2016/2017.
Mos plotësimi i kushteve të aplikuesëve për tenderin e këtyre rinovimeve, ka bërë që këto riparime të vonohen, njofton Llapi.info.
Sipas Drejtorit të Drejtorisë së Arsimit në Komunën e Podujevës, Avni Maloku, rregullimi i çative të dëmtuara do të bëhet pas përfundimit të procedurave tenderuese pasi që tenderi i parë ka dështur.
“Kemi menu që këto rinovime të kryhen sa ma heret. Mirëpo, tenderi u thy sepse ska pas ofertues dhe tash jemi të obliguar t’i përsërisim procedurat e tenderimit, por këto procedura zgjasin më pak dhe besoj që kryhen brenda shtatë ose tetë ditëve.” tha Maloku për Llapi.info.
Ndër të tjera Maloku u shpreh se është më shumë i brengosur për mbulesën e Shkollës Fillore “Ali Ajeti” në Ballofc dhe për shkollën “Shefki Kuleta” në Bellopojë sesa për shkollat e tjera, pasi që sipas tij çatiat e këtyre dy shkollave janë më të dëmtuara.
“Qata dy kulma të shkollave në fjalë janë më serioz sepse kulmet janë aq të dëmtuara saqë edhe pikojnë, mirëpo sivjet do të bëhet meremetimi i komplet mbulojave të këtyre dy shkollave.” tha ndër të tjera Maloku.
Tutje Maloku u shpreh se përpos këtyre dy shkollave nevojë për rinovim në çati kanë edhe shkollat si: “ Aleksader Xhuvani”, “Shaban Shala”, “Xheladin Rekaliu”, “Zahir Pajaziti” Orllan, “Sami Frashëri” Zhiti, “Sami Frashëri” Murgull, “Luigj Gurakuqi” Batllavë, Luigj Gurakuqi” Gerdofc, dhe “Kadri Kadriu” në Dumnicë.
Renovimi i çatiave të shkollave, sipas Malokut nuk paraqet ndonjë pengesë në procesin mësimorë për nxënësit. /Llapi.info