Dhënia në shfrytëzim e rreth një hektari tokë nga komuna e Podujevës në fshatin Llapashticë të Poshtme, ka përplasur në mes vete anëtarët e LDK- së në Kuvendin Komunal të kësaj komune, shkruan Llapi.info.
Parcela e cila është e ndarë në dysh dhe ka 104 ari tokë, sipas drejtorit të Gjeodezisë dhe Kadastrit, Abaz Llugaliu dhe shefit të këshilltarëve të LDK- së, Avni Fetahu, është më e drejtë të jepet në shfrytëzim sesa të shndërrohet në djerrinë mbeturinash.
Por, edhe pse i përkasin të të njëjtës parti, këshilltari i LDK- së, Mirsad Kamerolli gjatë gjithë diskutimit ka kundërshtuar një gjë të tillë.
“Bëhet fjalë për 56 ari e 30 metra në njërën parcelë dhe parcela tjetër ka 47 ari e 7 metra afër ‘Hib Petrolit’ të cilën e ndanë një rrugë. Mendojmë që është një parcelë e cila është e përshtatshme për zhvillim të bizneseve dhe të mos jetë një djerrinë e mbeturinave” tha Llugaliu.E, përse nuk duhet të jepet në shfrytëzim kjo pjesë e tokës, Kamerolli ka dhënë arsyet e tij.
“Mendoj se duhet shikohet se është një odë që është e ndërtuar. Është e shfrytëzueshme dhe mendoj që duhet të mbetet në të mirë të komunitetit pasi është edhe hapësirë publike është një edhe një fushë futbolli dhe meqë është pronë komunale atëherë t’u mbetet qytetarëve. Ajo është pronë publike dhe vetëm rruga e ndanë këtë parcelë dhe janë edhe varrezat, është e domosdoshme që kjo pronë të mos jepet në shfrytëzim pasi mund edhe të jepet edhe në shfrytëzim për varreza”, tha Kamerolli.
Mirëpo, këto arsye drejtorit të Kadastrit nuk i bënë edhe aq shumë përshtypje. Ai tha se edhe përkundër kësaj ne këtë pjesë të tokës do ta japim në shfrytëzim për zhvillim të biznesit.
“Është në pyetje thuajse një hektar. Nuk e kemi njet me rrëzu atë odë, është ndërtuar pa leje. Ne do ta japim pronën për zhvillim të biznesit. Por do ta japim edhe një pjesë për odën të cilën e shfrytëzojnë qytetarët”, tha Llugaliu.
Edhe pse debati në mes tyre zgjati, Kamerolli sërish këmbënguli në qëndrimin e tij.
“Nuk mundesh ti përkrahësh bizneset kur në krejt Llapashticën e Poshtme është vetëm një hapësirë publike. Është ma mirë të shfrytëzohet nga qytetarët. T’i tregova edhe kërkesat tjera. Oda është në mes të kësaj toke dhe është e pa mundshme me e përkrah dikë në biznes. Kërkesa është që të mos jepet në shfrytëzim sepse banorët më kanë kontaktuar edhe mua” përfundoi Kamerolli.
Dhënien në shfrytëzim të kësaj toke e kundërshtuan edhe partitë tjera opozitare, ani pse PDK tha se në parim e kemi mbështetur këtë vendim.
Sipas VV- së e PDK-së pëlqimi i komunitetit të këtij fshati për këtë pjesë të tokës është i domosdoshëm.
“Kërkojmë që kjo pikë të rikthehet edhe njëherë në rishqyrtim. Mos na vendosni në pika të këqija dhe ta rishqyrtojmë edhe njëherë” thanë ata.
Pas një pauze 5 minutëshe, shefi i këshilltarëve të LDK- së, Avni Fetahu tha se kjo pikë e rendit të ditës do të shtyhet, ani pse sipas tij kjo nënkupton miratimin e lejimit të ndërtimit të një shtëpie pa leje në atë pronë.
“Ramë dakord që kjo pikë e rendit të ditës të shtyhet. Mirëpo edhe mos miratimi i mos dhënies në shfrytëzim të kësaj toke po nënkupton që po japim një miratim që po lejojmë edhe ndërtimin e një shtëpie pa leje atje dhe kjo na nxjerr keq pastaj” tha ai./Llapi.info