Ditën e enjte Policia e Kosovës ka arrestuar dhjetë persona të dyshuar për kryerjen e veprave penale ”cenim i të drejtave autoriale” dhe ”tregti e ndaluar”, në kuadër të një operacion kontrolli në pesë rajone të Kosovës, në Prishtinë, Mitrovicë, Pejë, Gjilan dhe Gjakovë.
Gjatë realizimit të këtij operacioni me urdhëresë të gjykatës kompetente janë kontrolluar dhjete lokale-biznese, dy shtëpi-banesa, me ç’rast janë sekuestruar disa dëshmi.
Policia ka marre pese shtëpiza kompjuterike, katër kompjuterë llap-top, dy telefona mobile, 33 Android Box 33, nje TV, kater USB, dy fletore pune dhe dy bllok-fatura.
Sipas policisë ekziston dyshimi i bazuar se të dyshuarit me veprimet e tyre kanë përfituar në mënyrë të kundërligjshme duke shitur platforma të kanaleve televizive të njohura si IPTV pa leje dhe pa autorizim paraprak dhe njëkohësisht duke shkelur të drejtën autoriale të subjekteve të cilët kanë autorizimin dhe të drejtën ekskluzive për emetimin e kanaleve televizive.
Me këto veprime të dyshuarit e lartshënuar kanë dëmtuar kompanitë legale të cilët kryejnë veprimtari të rregullt të kësaj fushe sipas ligjeve në fuqi.
Me autorizim të prokurorive përkatëse të dyshuarit lirohen në procedurë të rregullt.