Deri para pak ditëve parkimi i veturave në një parking privat në Podujevë ishte 0.50 cent për parkim të një veture. Tani kur ka filluar ardhja e mërgimtarëve, ky çmim është rritur për 100 për qind.

Azem Osmani, qytetar nga Podujeva, njëherësh magjistër i Shkencave të Komunikimit Masiv, për llapi.info ka treguar shqetësimin e tij lidhur me këtë rritje të çmimit për parkimin e veturave në kohën e ardhjes së mërgimtarëve.

Ai ka thënë se një gjë e tillë shpreh mosmirënjohje ndaj kontributit që kanë dhënë dhe po japin mërgimtarët.

“Ky park privat për parkimin e makinave deri para pak ditëve na i merrte nga 50 centë për parkim, kurse tani e ka rritur çmimin 100 për qind, meqë ka filluar fluksi i ardhjes së bashkatdhetarëve tanë nga mërgata. Deri kur do të vazhdoj kjo fushatë e institucioneve dhe bizneseve për rrjepjen e xhepave të tyre, duke e ditur se çfarë kontributi kanë dhënë dhe po japin!? Sa mosmirënjohës që jemi! Keq, shumë keq!”, ka thënë Osmani./llapi.info