Menjëherë pas lajmit nga Zyra Federale e Shëndetit Publik (BAG) në Zvicër se ka hequr Kosovën nga lista e karantinës, kanë ndryshuar planet e mërgimtarëve që jetojnë në Zvicër.
Shumë rezervime për fluturime janë bërë në 72 orët e fundit nga Zvicra në Kosovë, transmeton albinfo.ch.
Ardhja masive ka nisur nga vikendi që lamë pas, e deri në mesin e kësaj jave, kur pritet të ketë fluks edhe më të madh të ardhjes së diasporës shqiptare nga Zvicra, por edhe më gjerë.
As çmimet e larta të fluturimeve në këtë kohë nuk janë pengesë që të rezervohen fluturime, ku çmimet variojnë nga 250 deri në 350 euro për biletat njëdrejtimëshe.
Qindra-mijëra rezervime thuhet se janë bërë nga agjencitë e fluturimeve për të festuar Fiter Bajramin me familjet e tyre.
Fluksi i diasporës pritet që sadopak të ndikojë në ekonominë kosovare.