P.E., 24-vjeçare, shtetase austriake, qe disa ditë është duke u trajtuar në Klinikën Intensive në kuadër të Qendrës Klinike Universitare (QKUK), pasi ajo dyshohet se më 29 maj të këtij viti është djegur me lëndë djegëse, përderisa shkalla e djegies është 80 për qind.
Shefi i Mjekimit Intensiv Qendror, Naim Kuçi, ka thënë për “Zërin” se gjendja shëndetësore e pacientes austriake është shumë e rëndë dhe ajo po mbahet në jetë me frymëmarrje artificiale.
“Pacientja ka ardhur më 29 maj në QKUK, e paidentifikuar. Pastaj është identifikuar. Në pasaportë i shkruan se ka lindur në vitin 1994. Djegia ka qenë e shkallës së dytë B dhe ka qenë diku 70-80% e djegur. Menjëherë ka hyrë në sallë ku është bërë pastrimi, fashimi, çfarë është dashur dhe është transferuar në mjekimin intensiv. Gjendja është e rëndë dhe është me respiratorë, frymëmarrje artificiale. Është në një gjendje shumë të rëndë që shumë pak ose hiç nuk presim prej saj”, ka thënë ai.
Në anën tjetër, Policia e Kosovës është duke e hetuar rastin nën dyshimin për “Vetëvrasje”.