Një shtëpi është përfshirë nga zjarri në fshatin Llapashticë e Epërme të Podujevës, raporton Llapi.info

Për pasojë nga zjarri janë djegur një dhomë dhe një pjesë e çatisë së shtëpisë së kryefamiljarit Besim Qerimi. Ky i fundit për Llapi.info ka thënë se përkundër përpjekjeve dëmet e shkaktuar janë të mëdha, e që shkaktari i zjarrit mendohet të jetë rryma elektrike.

Sipas Qerimit, edhe pse ka bërë kërkesë për ndihmë te Komuna e Podujevës, kjo e fundit, sipas tij, nuk i ka ndihmuar.

“Rasti ka ndodhur para tri javësh, kanë qenë zjarrfikësit, policia dhe Komuna. Deri më tani ka dëme të mëdha se është djegur komplet një dhomë, e po ashtu edhe çatia e shtëpisë se nuk ka pasur plloçë. Zyrtarë të Komunës kanë qenë dy here edhe më kanë thënë se s’kemi ç’të bëjmë”, ka thënë Qerimi.

Duke kërkuar ndihmë, Qerimi ka shtuar se me djegien e dhomës dhe të kulmit i është vështirësuar akoma më shumë jetesa e familjes së tij.

E në lidhje me këtë, Llapi.info ka pritur disa ditë përgjigje nga Policia e Podujevës, por nga ky stacion nuk kanë dhënë detaje për këtë rast.

Ndërsa, nga Komuna e Podujevës thonë se pjesa e dërrmuese e shtëpisë ka shpëtuar, teksa zëdhënësi i Komunës, Nazmi Elezi për Llapi.info ka shtuar se për këtë nuk është konstatuar se nuk ka nevojë për sigurimin e një strehimi emergjent.

“Pas paraqitjes së rastit të djegies së një pjese të shtëpisë së qytetarit Besim Qerimi nga fshati Llapashticë, zyrtarët nga Drejtoria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale e kanë vizituar këtë familje, për të konstatuar gjendjen. Gjatë vizitës është konstatuar se nga zjarri i shkaktuar është djegur një dhomë e shtëpisë, në të cilin banon familja Qerimi, ndërsa pjesa tjetër e shtëpisë nuk është dëmtuar. Meqë në familja i ka në dispozicion edhe dy dhoma të tjera, të padëmtuara nga zjarri, është konstatuar se nuk ka nevojë për sigurimin e një strehimi emergjent”, ka thënë Elezi.

Sipas tij, Komuna nuk ka ndonjë vijë buxhetore për t’iu dalë në ndihmë për dëmet e shkaktuar në raste të tilla.

“Për dëmet e shkaktuara në ekonomitë familjare nga zjarri, si në rastin konkret, apo edhe fatkeqësi të ndryshme natyrore, Komuna nuk ka ndonjë vijë buxhetore-fond për kompensimin e tyre”, ka deklaruar Elezi.

Ndërkaq, në shkresën të cilën e ka lëshuar Drejtoria e Shëndetësisë dhe e Mirëqenies Sociale, thuhet se nuk ka ndonjë program për t’i ndihmuar familjes Qërimi.

“Vërtetohet se Komuna e Podujevës përkatësisht Drejtoria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale për momentin nuk ka program për ndërtimin e shtëpive, pasi që buxheti i DSHMS është i limituar dhe nuk ka mundësi buxhetore të përkrahë në përmbushjen e kërkesës”, thuhet në njoftimin e Drejtorisë.

Mirëpo, sipas kryefamiljarit, Besim Qerimi zjarri i cili kishte kapluar këtë shtëpi mund t’i kishte përfshirë edhe pjesët e tjera të shtëpisë, teksa edhe zjarrfikësit kanë intervenuar me shpejtësi. Se cilat kanë qenë shkaqet që kanë shkaktuar zjarrin dhe a është duke u hetuar rasti, Policia nuk ka dhënë detaje për këtë çështje.

Përkundër kësaj, Qerimi ka apeluar për ndihmë pasi që mundësitë për t’i rikthyer jetesës së mëparshme janë minimale, dhe se dëmet e shkaktuar janë të mëdha./Llapi.info