Diplomati amerikan në pension i cili ka shërbyer edhe si ambasador i SHBA-së në NATO, Kurt Volker, në një intervistë për Zërin e Amerikës në gjuhën serbe, ka thënë se sulmi i 24 shtatorit ku u vra një polic i Kosovës ishte provokuar me qëllim për të marrë një përgjigje nga Kosova, ndaj të cilit më pas do të reagonte Serbia.

Ai ka thënë se është e nevojshme që të bëhet presion mbi Beogradin për të parandaluar skenarë dhe provokime të tilla.

Volker gjithashtu ka thënë se është e nevojshme që Kosova dhe Serbia të përpiqen të mos ndërmarrin asgjë që pala tjetër do të mund ta konsideronte provokative e që do të shkaktonte reagim.

“Incidenti në të cilin u vra një polic i Kosovës ishte krijuar për të provokuar një përgjigje nga pala kosovare – ndaj së cilës Serbia do të reagonte më pas. Mendoj se është e nevojshme të bëhet presion mbi Beogradin që të bëjë gjithçka që është e mundur për të parandaluar skenarë dhe provokime të tilla. Nuk besoj se një gjë e tillë do të ndodhte nëse do të kishte një mesazh të qartë se një gjë e tillë nuk është e mirëseardhur. Gjithashtu, është e nevojshme që të dyja palët të përpiqen të qetësojnë pasionet dhe të mos ndërmarrin asgjë që pala tjetër do ta konsideronte si provokim – që do të shkaktonte një lloj reagimi”, tha për Zërin e Amerikës diplomati amerikan në pension, Kurt Volker.