I ka bërë gati 20 vjet shkollë, por nuk po i hyjnë asgjë në punë. Ligjëruesit të një kolegji privat i është dashur t’i kthehet zanatit të babës.
Të gjitha vitet tjera në shkollë, fakultet e master, sikur i kanë shkuar kot. Atij i është dashur t’i kthehet punës prej zdrukthëtari. T’i kthehet zanatit të moçëm, shkruan “Koha Ditore”. Atë që kishte nisur ta mësojë që në klasën e parë fillore. Atë që nuk e lë pa bukë!
Historia e Fatmir Fazliut (1979) nga fshati Letanc i Podujevës nuk do të ishte interesant për vendet perëndimore ku profesioni mund të “ndërrohet” për qejf me ndonjë zanat. Por, Fatmiri këtë e ka bërë më shumë nga zori. Por, kështu thotë se jeton më dinjitetshëm. Më rehat.
Sepse nuk do që ta shtrijë qafën para politikanëve, të cilët do të mund t’i bënin “zgjidhje”, por që do t’i duhej të bëhej shërbëtor i tyre. Megjithatë, ai kurrë nuk e kishte menduar se do të plakej në zanatin që e mori nga babai i tij.