Disa shkolla fillore dhe të mesme të Komunës së Podujevës, do ta fillojnë vitin e ri shkollor me ushtrues detyre në pozitën e drejtorit.
Konkursi për drejtorë të disa shkollave fillore dhe të mesme në Podujevë kishte dështuar disa herë radhazi, pasi qe asnjë nga kandidatët që kanë konkurruar në konkursin e hapur nga Drejtoria e Arsimit në Podujevë, nuk kanë arritur të plotësojnë kriteret.
Nga Zyra e Informimit në Komunën e Podujevës kanë thënë se njëherë nuk pritet të ndërrmirret asgjë në këtë drejtim sepse për momentin janë duke u marrë me pranimin e kuadrit arsimor dhe përgatitjet për fillimin e vitit të ri shkollor.
Në disa nga këto shkolla konkursi po dështon qe disa herë radhazi.
Drejtoria e Arsimit kishte shpallur dy herë konkursin për drejtorë për shtatë shkolla, pasi kishte dështuar një herë në muajin janar 2014. Ato janë shkolla fillore “Zenel Hajdini” në Lupç të Poshtëm, “Naum Veqilharxhi” në Llapashticë e Epërme, “Luigj Kurakuqi” në Batllavë, “Kadri Kadriu” në Llaushë, “Afrimi e Fahriu” në Lluzhan, “Elfir Behrami” në Metehi dhe “Jetullah Islami” në Dyz, ndërsa, konkursi ishte rishpallur në muajin mars 2014 për këto shkolla.
Në anën tjetër konkursi ishte hapur për herë të parë për shkollën fillore “Naim Frashëri” në Podujevë, “Rilindja” në Herticë, “Nuhi Gashi” në Bradash, “Sami Frashëri” në Zhiti, “Shefki Latifi” në Pollatë, “Ali Hadri” në Obrançë, “Eqrem Çabej” në Buricë, “Pavarësia” në Sibofc, “Dëshmorët e Kombit” në Podujevë, “Ali Ajeti” në Sfeçël, “Dituria” në Llapashticë të Poshtme, çerdhja e fëmijëve “Drita” në Podujevë, Gjimnazi “Aleksandër Xhuvani” në Podujevë, Shkolla e mesme teknike “Fan S. Noli” në Podujevë dhe e njëjta shkollë edhe për zëvendësdrejtor.
Kurse, sivjet në muajin maj, pos këtyre 21 institucioneve shkollore, konkursi është shpallur edhe për shkollën fillore “Hasan Ramadani” në Shajkofc, “Zahir Pajaziti” në Orllan, “Jahë Hasani ” në Bervanik dhe “Sheqë Mirovci” në Shtedim. Gjithsej 24 shkolla dhe çerdhja “Drita”./Llapi.info