Për 12 vite me radhë një festival drame i organizuar nga Administrata Kombëtare e Burgjeve të Rumanisë u ka dhënë të burgosurve mundësinë të shfaqen në produksione teatrale të mbikëqyrura nga regjisorë profesionistë.

Festivali i cili zhvillohet në Teatrin e famshëm “Nottara” të Bukureshtit, synon të luftojë paragjykimet dhe të lejojë të burgosurit të kenë kontakt me publikun.

Rreth 700 të burgosur kanë marrë pjesë në shfaqjet në këtë aktivitet gjatë 12 viteve.

Këtë vit, të burgosurit nga burgjet e Jilavës dhe Rahovës performuan për një audiencë shumë të vogël për shkak të pandemisë.

Provat bëhen në burg, ndërkaq performanca realizohet skenën reale të teatrit, shkruan Euronews, transmeton Klankosova.tv.

“Mendoj se të gjithë ne kalojmë momente shumë të vështira në jetë, sidomos tani për shkak të pandemisë. Kjo shfaqje teatrore na dha një ndryshim,” tha Marin Florin, i burgosur në burgun e Jilavës.

Eksperienca teatrale është një lloj terapie për aktorët e burgosur, e krijuar për t’i ndihmuar atyre që të rizbulojnë veten dhe të kuptojnë më shumë për njëri-tjetrin.