Ata i kanë ndalur ngasësit e makinave nëpër rrugët periferike të qytetit të Podujevës dhe ua kanë shpërndarë fletushkat me përmbajtje vetëdijesuese.
Qëllimi kryesor i këtij aktiviteti ishte, që të gjithë së bashku të jemi kundër tejkalimit të shpejtësisë së automjeteve, ka thënë kryetari i Iniciativës Vullnetare “RB”, Reshat Blakçori.
Kryetari Blakçori ka falënderuar Policinë e Kosovës që nuk ka hezituar ta përkrah këtë aktivitet të rëndësishëm. Blakçori po ashtu ka shprehur mirënjohje ndaj redaksisë së portalit DritarjaOnline për përcjelljen dhe publikimin e këtij aktiviteti të rëndësishëm, por edhe të aktiviteteve tjera të shumta të kësaj organizate.
Fletushka e cila u është dhënë ngasësve të makinave ka pasur këtë përmbajtje:
“Të nderuar Qytetarë të Republikës së Kosovës!
Ne e dimë se nga aksidentet me qindra njerëz po vdesin ose po lëndohen, andaj respektoni rregullat e komunikacionit dhe “MOS MERR JETË”.
Qëllimi ynë është të ofrojmë disa rekomandime për ta përmirësuar qarkullimin në trafik, duke synuar përqasje sa më të mirë të sjelljeve me rregullat e përcaktuara në mënyrë që të mos vijmë deri te kjo situatë e paraqitur në figurë.
“ASNJEHERË MOS HARRO, SHPEJTËSIA VRET”
VEPRIMI I NXITUAR MUND T’IU KUSHTOJË ME JETË!
Të ngasësh automjetin nuk është kënaqësi, por është përgjegjësi shumë e madhe.
Moskujdesi ynë, mund të shkaktoj aksidente automobilistike. Prandaj, ejani të gjithë së bashku t’i ndihmojmë Policisë së Kosovës, njëkohësisht të vetëdijesohemi në trafik e të mos kemi më aksidente dhe viktima njerëzore.”
Në këtë aksion simbolik dhe mjaftë të qëlluar, përpos Njësitit policor dhe kryetarit të kësaj organizate Reshat Blakçori, kanë kontribuuar edhe aktivistët e palodhshëm, Erina Blakçori, Militant Plakolli dhe Arlind Jakupi. /KI/