Lëvizja Vetëvendosje në Podujevë përmes një njoftimi ua ka uruar qytetarëve të Podujevës 19 qershorin, Ditën e Çlirimit të Podujevës, transmeton Llapi.info.
Për nder të kësaj dite, Vetëvendosje ka bërë homazhe pranë shtatoreve të heronjve në qytet si dhe tek varrezat e dëshmorëve në Penuhë.
Më poshtë njoftimi i plotë:
Qendra e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Besianë, ua uron 19 vjetorin e çlirimit të gjithë qytetarëve të Besianës
Sakrifica e shumë brezave, të cilët nuk kursyen as jetën e tyre për idealin e lirisë, mori kuptim më 19 qershor 1999. Sikur sot, 19 vite më parë, përmes Besianës për në Merdare, u larguan për të fundit herë trupat e fundit të pushtuesit njëshekullor serb.
Kjo ditë feste për të gjallët, nuk ka kuptim pa kujtimin e të rënëve. Sikur që nuk ka kuptim as liria, pa jetësimin e amanetit të tyre. Në nderim të tyre, përfaqësues të Qendrës së Lëvizjes në Besianë, bënë homazhe tek shtatorja e dëshmorit Ali Ajeti, tek shtatoret e Zahirit, Hakifit, Edmonit dhe Ilirit dhe tek varrezat e dëshmorëve në Penuhë.