Autobusët e linjës Podujevë – Prishtinë po vazhdojnë të qëndrojnë para komunës së Prishtinës në shenjë proteste nga pronarët e kompanive ndaj vendimit për mos lejimin e këtyre autobusëve që të hyjnë në territor të kryeqytetit.

Është dita e tretë që pronarët e këtyre kompanive vazhdojnë këtë protestë deri në një vendim sipas tyre nga komuna për zgjidhjen e kësaj çështje.

Lexo Edhe:

Sikurse një ditë më parë edhe sot autobusët e kompanive të linjës Podujevë – Prishtinë janë gjobitur nga Policia e Kosovës. Madje, ata kanë kanë marrë secili nga tri gjoba.

Mentor Mustafa nga Shoqata e Transportit Podujevë – Prishtinë, në një prononcim ka thënë se me këtë vendim të komunës kompanive u lejohet që autobusët t’i qojnë vetëm deri në Lebanë dhe në stacion të autobusëve në Prishtinë.

Mustafa ka thënë se Komuna e Prishtinës ka marrë vendim krye në vete pa konsultim me Ministrinë e Infrastrukturës dhe ka marrë vendim që autobusët e Podujevës të mos hyjnë në territorit të Prishtinës më.

Ai ka paralajmëruar se nëse nuk rregullohet kjo çështje do të marrin edhe masa të tjera, ku tha se do ta bllokojnë kryeqytetin.

Ndërsas, këshilltari i kryetarit të komunës së Prishtinës, Luftar Braha ka thënë se komuna e Prishtinës ka si qëllim vetëm çlirimin e rrugëve të Prishtinës dhe heqjen e tollovisë në trafik.

Në një deklaratë për Ekonomia Online, ai ka thënë se kanë pasur disa herë takime me protestuesit.

“Në objektivat tona është çlirimi i rrugëve të Prishtinës, heqja e tollovive në trafik. Mundësimi i qarkullimit sa më të lirshëm në komunikacion të gjithë pjesëmarrësve, jo veç të makinave, por edhe të këmbësoreve dhe pjesëmarrësve të tjerë”, ka thënë ai.