U shkarkuan presidentë. U rrëzuan edhe qeveri. Kushtetuta e Kosovës u shkel edhe me vendimet që u morën në kohën e masave anti-covid. E së fundmi, si për ironi një ditë para përvjetorit të 14 të Kushtetutës së Kosovës, ajo u shkel nga ministrja e arsimit, Arbërie Nagavci.

9 prilli i 2008-ës shënon ditën më të rëndësishme të rregullimit juridiko-politik të Republikës së Kosovës.

Si sot 14 vjet më parë u ratifikua akti më i rëndësishëm në vend, për të hyrë në fuqi më 15 qershor të po atij viti.

Kushtetuta e Republikës së Kosovës përmban 14 kapituj e 162 nene, me të cilat synohet rregullimi politik e juridik i vendit, e në qendër të së cilës ngërthehen Të Drejtat e Njeriut.

Por, jo rrallë herë politikanët shkelën mbi të, duke shkaktuar kriza politike në vend.

Të gjithë ata që shkelin kushtetutën, Albin Kurti i pati quajtur me një term jo fort të lehtë. Kryeministri i vendit Albin Kurti, në një intervistë televizive, kohë më parë, pati shpjeguar rëndësinë dhe dallimin në mes shkeljes së ligjit dhe shkeljes së kushtetutës. “Kush e shkel ligjin është kriminel, ndërsa ata që e shkelin kushtetutën janë super-kriminel”, ishte përshkrimi i Kryeministrit.

Por kush janë super-kriminelët sipas Kurtit, apo shkelësit e Kushtetutës?

Të fillojmë nga fundi.

8 prill 2022, një ditë para festës zyrtare, të ditës së Kushtetutës, Gjykata Kushtetuese doli me një Aktgjykim. Aty u konstatua se ministrja e Qeverisë Kurti II, Arbërie Nagavci e ka shkelur kushtetutën, kur ndali reformën e arsimit në Kamenicë. Sipas Gjykatës Kushtetuese, Nagavci si ministre e arsimit, me vendimin e saj, për ta ndalur këtë reformë, ka tejkaluar kompetencat duke ndërhyrë në punët që bien në kompetencë të nivelit lokal.

Në fakt mbi këtë shkelje kushtetuese, u ndërtua e tërë fushata e partisë së Kurtit e Nagavcit në këtë komunë, me cka e mposhtën nismëtarin e kësaj reforme, Qëndron Kastrati me kandidatin e tyre Kadri Rahimaj.

E kjo nuk ishte hera e parë që Kurti me ekipen e tij “vunë këmbën” mbi Kushtetutën e Kosovës.

Ishte marsi i vitit 2020 kur Kurti vetë ia bëri “sefte” shkeljes.

Kufizimi i lirisë së lëvizjes, në fillim të pandemisë, pati përplasur fortë dy rivalët e përbetuar politik, e që në atë kohë, të dy, ishin liderë institucionesh. Albin Kurti e Hashim Thaçi, njëri kryeministër e tjetri president, u “kapën” rreth interpretimit të masave anti-covid, me të cilat qeveria kufizonte lirinë e lëvizjes së qytetarëve.

Për këtë, u kërkua interpretimi i Gjykatës Kushtetuese. Gjyqtarët aty nuk patën dyshime, të gjithë njëzëri, vendosën se masat e ndërmarrura nga Qeveria Kurti I, bien ndesh me dispozitat e Kushtetutës, konkretisht me nenet me të cilat rregullohet Liria e Lëvizjes, E drejta për Tubim, etj.

Qeveria Kurti I, u tregua edhe njëherë e “pamëshirshme” ndaj Kushtetutës.

Këtë herë, rendin e kishte Ministri i Shëndetësisë, atëbotë, Arben Vitia.

Vitia në prill të 2020, pati shpallur komunën e Prizrenit “zonë karantinë”, me cka sipas kushtetueses, Vitia kishte tejkaluar kompetencat e tij, dhe se një gjë e tillë nuk parashihej me ligjet e vendit.

Presidentë e Parlament, shkelën Kushtetutën

Atë që dikush e quan “Bibël e Kuran” e shkelën edhe institucionet tjera më të larta. Kur shkelej nga qeveria, nuk kishte pasoja. Edhe pse, pasojat morale nganjëherë flasin më shumë se ato ligjore.

Megjithatë në rastet kur kushtetutën e shkel Presidenti ose Kuvendi, konsekuencat janë shumë më serioze. Pasojat juridike që prodhon shkelja e tillë, shoqërohet edhe me kriza politike, të cilat në vendin tonë janë parë jo rrallë herë.

Rasti Sejdiu

Ishte shtatori i vitit 2010, vetëm 2 vite pas miratimit të saj, kur Presidenti Fatmir Sejdiu u bë “shkelësi” i parë i Kushtetutës së vendit.

Gjkata Kushtetuese gjeti se ish presidenti Sejdiu, veproi në kundërshtim serioz me kushtetutën, kur mbajti njëkohësisht postin e Presidentit dhe atë të Kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Ky vendim nga ana e kushtetueses, e çoi vendin në krizën e parë politike që buroi nga një akt i tillë. Vendi u dërgua në zgjedhje të reja.

Rasti Pacolli

Ekziston një debat, në mes juristësh, nëse Behxhet Pacolli ishte apo nuk ishte ndonjëherë President i Kosovës. Kjo pasi Pacolli, në shkurt të vitit 2011 u zgjodh president nga kuvendi i Republikës, ne raundin e tretë. Post të cilin Pacolli e “gëzoi” vetëm disa ditë. Në mars të po atij viti, pas kërkesës të grupit parlamentar të LDK-së, e mbështetur edhe nga deputetët e AAK-së, për “Vlerësimin e Kushtetutshmërisë të Vendimit të Kuvendit të Kosovës” për zgjedhjen në krye të shtetit të Pacollit, u gjet shkelje e kushtetutës, në rastin e votimit të tij në kuvend.

Përsëri krizë, përsëri zgjedhje të reja.

Kuvendi-Qeveria Hoti

Debat i ngjashëm ekziston edhe në lidhje me qeverinë e Abdullah Hotit, i cili në krye të ekzekutivit, qëndroi për pak më shumë se 6 muaj.

Qeveria Hoti, që u zgjodh më 3 qershor, me 61 vota të deputetëve të Kuvendit të Kosovës, e për zgjedhjen e së cilës, vendimtare ishte secila votë, doli se njëra nga to, nuk ishte krejt e rregullt.

Pas përplasjeve të shumta, në lidhje me zgjedhjen e kësaj qeverie, që përqanë si kurrë më parë, politikën, opinionin e në përgjithësi shoqërinë kosovare, edhe njëherë “sy e vesh” u kthyen kah institucioni që është i thirrur për ta interpretuar kushtetutën.

Më 21 dhjetor 2020, Qeveria Hoti, u bë qeveria e parë që rrëzohet pas një vendimi të gjykatës kushtetuese.

Kjo pasi në aktgjykimin e kushtetueses u gjet se zgjedhja e kësaj qeveria, nga ana e kuvendit ishte kundërkushtetuese.

Vota e deputetit Et’hem Arifi, pro qeverisë Hoti, u cilësua si votë vendimtare për formimin e kësaj qeverie, por e njejta ishte edhe kundërkushtetuese. Kjo pasiqë Arifi ishte i dënuar nga Gjykata e Apelit me 1 vit e 3 muaj burgim për mashtrim me subvencione.

Kuvendi u shpërbë. vendi shkoi në zgjedhje të reja.

Megjithatë, për gjitha këto kriza po del se fajin nuk e ka Kushtetuta. Kështu ka thënë për Nacionalen njëri nga hartuesit e saj, Arsim Bajrami.

“Kushtetuta nuk është fajtore për krizat që kanë krijuar partitë politike në luftën e tyre të egër për pushtet. Kushtetuta bëhet për qeverisje të mirë, për njerëz të arsyeshëm, për liderë burrështetas dhe jo për liderë që krijojnë kriza.”, tha Bajrami.