Fahri Fazliu, djali i Fadilit që u arrestua ditën e djeshme nga Gjykata Speciale e ka quajtur të padrejtë mënyrën se si u arrestua babai i tij.

Fazliu ka thënë se si familje kanë përjetuar shumë vrasje nga Serbia, teksa shton se përkundër kësaj si familje po goditen akoma padrejtësisht.

“Këtë herë nuk ka pasur bastisje vetëm e kanë marrë Fadilin. Veprim i padrejtë sepse Fadili po ta kishin ftuar do të shkonte vet dhe jo me arrestim jo në atë mënyre, sepse e ka një moshë, është i familjes që kanë dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm, Fadili është vëllai i heroit Fahri Fazliu që është vrarë në 89 në Bregun e Diellit, po ashtu e ka edhe një vëlla dëshmor Bahri Fazliun që është vrarë në kufi, vet ka qenë pjesë e UÇK-së dhe tash punon në KEDS në drejtimin e vet ku edhe ka qenë derisa është arrestuar”, ka thënë ai për kanal10.

Tutje, ai ka thënë se familja e ka pranuar rëndë këtë ngjarje, teksa ka thënë se familja është krenare për punën dhe veprën e tij.